Qeveria jep detaje nga takimi Kurti – Abdixhiku
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe nënkryetarin e parë të kësaj partie, Lutfi Haziri. Zyra e kryeministrit ka bërë me dije se Kurti e ka njoftuar Abdixhiku për takimet që ka pasur me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.
“Abdixhiku, ia shprehu kryeministrit Kurti pikëpamjet e tij dhe të subjektit që udhëheqë lidhur me dialogun, të cilat ia dorëzoi edhe në formë të shkruar. Ai theksoi se LDK-ja do të përkrahë procesin e dialogut nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar dhe rezultat përfundimtar do ta ketë njohjen e ndërsjellë. Kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së u pajtuan që diskutimi rreth dialogut të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri e vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit pozitë-opozitë”, ka njoftuar Zyra e kryeministrit.
Takimi i sotëm ishte në vazhdën e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare, me qëllim të bashkëpunimit të mirëfilltë për çështje me interes të Republikës së Kosovës.