Qeveria jep detaje për vizitën e nesërme të Kurtit në Maqedoninë e Veriut

04 gusht 2024 | 15:50
Kryeministri Albin Kurti, nesër do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ai i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, do të ketë një takim bilateral me homologun e tij, Hristijan Mickovski.

Lidhur me këtë vizitë detaje për Klankosova.tv ka dhënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se në agjendë do të jenë raportet bilaterale të të dyja vendeve, me interes të veçantë projektet infrastrukturore.

“Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, tha Kryeziu për Klankosova.tv

Lidhur me vizitën e Kurtit në kryeqendren e Maqedonisë, ka raportuar më herët edhe Klankosova.tv.

Vizita e kreut të qeverisë në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat.

Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.

Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.

MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.

Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin.

Mbetet të shihet nëse Albin Kurti, do të prononcohet ose do të diskutojë me Hristijan Mickovskin, lidhur me këtë ngjarje.

Deri më tani Kurti, nuk e ka thënë as një fjalë për këtë incident.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sprinterja kampione e botës nga Xhamajka, Shericka Jackson, u tërhoq…