“Qeveria ka dështuar ta përmbushë planin legjislativ, puna e Kuvendit ishte e ngadalshme”

13 gusht 2021 | 11:57

Sesioni pranveror i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës është vlerësuar të ketë qenë i ngadalshëm dhe me probleme. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, ka vlerësuar se Kuvendi ishte më i suksesshëm në planin mbikëqyrës sesa në procesin legjislativ.

Hulumtuesja e KDI-së, Agnesa Haxhiu ka thënë sot se në këtë sesion kishte më shumë seanca të mbajtura sesa në sesionin pranveror të vitit të kaluar.

“KDI ka bërë monitorimin e punës së Kuvendit gjatë këtij sesioni pranveror, periudhë kjo që është karakterizuar me një numër të ngadaltë të punës në proces legjislativ por me performancë më të mirë në planin mbikëqyrës. Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të punës ka shënuar një rritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të seancave të mbajtura krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të legjislaturës së shtatë. Prej fillimit të kësaj legjislature janë mbajtur gjithsej 23 seanca, duke përfshirë edhe seancën konstitutive, prej të cilave 16 ishin të rregullta, 4 të jashtëzakonshme dhe 2 solemne. Në 134 raste seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër, ndërkaq tri seanca nuk kanë arritur që të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog katër pikave të mbetura nga këto seanca”, ka thënë ajo të premten në një konferencë për media.

Haxhiu ka folur edhe për problemet me të cilat është ballafaquar ky sesion. Ajo ka thënë se edhe në këtë periudhë  të punës së Kuvendit, ngjashëm si me të kaluarën, deputetët kanë munguar në seanca.

“Një problematik që e ka përcjell këtë periudhë të punës së Kuvendit, ngjashëm si në të kaluarën, janë mungesat e shumta të deputetëve në seancë, veprime këto që padyshim kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare. Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi deri në fund të muajit korrik, deputetët kanë munguar plotë 414 herë”,  ka thënë Haxhiu.

Problem tjetër, sipas Haxhiut është edhe numri i ulët i ligjeve të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm shtatë ligje janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në periudhën prill-gusht.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh, Krahasuar me ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit janë proceduar 29 projektligje prej të cilave 7 janë miratuar , teksa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga Komisionet”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se qeveria ka dështuar ta përmbush planin legjislativ.

“Qeveria ka dështuar që ta përmbushë planin e saj legjislativ duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për periudhën prill-gusht”, ka thënë Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy muajt e fundi…