Qeveria kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së
Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës me gjithë rekomandimin pozitiv të përfaqësuesit të lartë të BE, Josep Borrell është e pakuptimtë.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë se masat duhet të hiqen menjëherë dhe në mënyrë të plotë.
“Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e Borrellit më 3 qershor 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell, i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka më shumë se një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, ka thënë Kadiu për “RTV21”.
Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar, teksa i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Masat ndaj Kosovës janë vënë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.