Qeveria kërkon zgjatjen e masave emergjente në energji, Rizvanolli: Dimri do të jetë i vështirë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, që masat emergjente që janë marrë para dy muajve të zgjaten si pasojë e krizës me energjinë elektrike.
Gjatë raportimin në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka folur për krizën me të cilën po përballen Evropa dhe Kosova si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Evropa është duke vazhduar të kalojë në një krizë energjetike edhe më të rëndë se vitin e kaluar, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të burimeve të energjisë si armë nga ana e presidentit rus Vladimir Putin”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se në kuadër të masave emergjente, janë marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, ku ka ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.
“Masat emergjente që kemi vendosur para dy muajve tani po kërkojmë që këto masa të zgjaten, duke pasur parasysh që pritet të jetë një dimër i vështirë. Është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut”, është shprehur Rizvanolli.
Ndërsa kryetari i këtij komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve ka shkuar direkt në llogarinë e KEDS-it, siç i është referuar ai kompanisë turke.
“Mjetet 70 milionë nga cila konto janë alokuar në kontot private? Pra a kanë shkuar tek kompania turke? Pyetja është se nga cilat konto kanë shkuar këto mjete, nga MZh-ja apo nga Ministria e Financave dhe a mundesh me konfirmuar se këto mjete kanë shkuar tek kompania turke?”, ka pyetur Shala, Rizvanollin.
Kurse Rizvanolli ka thënë se mjetet e alokura kanë shkuar në llogarinë bankare të KEDS-it.
“Kompanitë që po i referoheni si turke është e vetmja që është e licencuar. Mjetet janë ndarë me vendim të qeverisë me rekomandim të MZh-së në llogari të konsumatorëve dhe secili prej tyre mund ta vëreje në faturën e tyre lehtë me një qasje në aplikacion. Është e vërtetë se mjetet kanë shkuar në këtë kompani sepse është e vetmja që operon në Kosovë”, ka thënë Rizvanolli.
Më tutje, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se është kërkesa e katërt që qeveria ka kërkuar të zgjaten masat emergjente.
Për këtë, Lekaj ka thënë se masat ad-hoc nuk prodhojnë zgjidhje.
“Ajo që e dimë është se po hyjmë Janë të pamjaftueshme sepse nuk e di sa keni i formacione se qytetarët në Kosovë ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike, në çdo komunë ka probleme. Është kërkesa e katërt që ju kërkoni të vazhdohet masa emergjente dhe sa i përket këtyre masave, nuk e di se a mendoni se zgjidhjet të bëhen ad-hoc, dhe nëse ju nuk keni ndërmarr vendime, ne do të hyjmë në një krizë tjetër energjetike. Deri në 1 mijë euro është menduar dhe po flitet që të rritet megavati”, është shprehur Lekaj, duke e pyetur Rizvanollin edhe për raportimet në medie për riparimin gabimisht të remontit të Bllokut “B2”.
Por për këto raportime në medie, ministrja Rizvanolli i ka quajtur shpifje dhe të pavërteta./EO