Qeveria: Këtë vit aplikojmë për anëtarësim në BE, s’kemi kushte shtesë

29 korrik 2022 | 12:33

Në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), Kosova mbetet në vendnumërim. Ajo ka të nënshkruar vetëm Marrëveshjen  e Stabilizim-Asociimit (MSA)me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në organizatën më ta madhe evropiane. E ardhmja evropiane i është konfirmuar Kosovës disa herë, por rezultate të vërejtshme në praktikë nuk ka pasur.

“Rrugën e Kosovës drejt Evropës e ka penguar më së shumti korrupsioni dhe nepotizmi në punësime. Po të mos ishte hajnia, Kosova do të mund të përparonte dyfish më shumë”, ka tëhu Osman Maliqi, një qytetar nga Prishtina.

Nëse vazhdohet kështu, ai ka thënë se Kosova mund të anëtarësohet në BE “në vitin 2050”.

Hysen Ramabaja, nga qyteti i Kamenicës, mendon më ndryshe. Ai ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka krijuar situatë të re dhe, sipas tij, është në interes të fuqive perëndimore t’i integrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Kosova është në një moment të ri, për shkak të pozitës gjeostrategjike dhe interesave të BE-së dhe ShBA-së… Nuk ka ku të shkojë (BE-ja) pa e integruar edhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Ramabaja.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe mbështetje për realizimin e reformave gati qe dy dekada.

Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën është thënë: “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”.

Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të këtij viti i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.

Kjo marrëveshje kontraktuale – e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian – është nënshkruar në vitin 2014, ndërsa ka hyrë në fuqi më 2016.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Në vitin 2005, Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar të ardhmen evropiane të Kosovës, edhe pse nuk e ka pasur të zgjidhur statusin.

Më 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i është konfirmuar sërish e ardhmja evropiane dhe, në vitin 2012, Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën.

Kosovës i janë vendosur dhjetëra kritere, edhe shtesë, të cilat, sipas të dyja palëve, janë plotësuar. Megjithatë, nga viti 2018, shtetet e BE-së nuk kanë arritur pajtim për t’iu mundësuar kosovarëve lëvizje të lirë.

Rezerva të mëdha kanë shprehur sidomos Franca dhe Holanda.

Në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk japin ndonjë vlerësim për efikasitetin e Kosovës në zbatimin e MSA-së, por thonë se ka treguar përkushtim në përmbushjen e obligimeve.

“Kosova, vazhdimisht, ka shprehur përkushtimin e saj për procesin e integrimit evropian. Kjo i referohet si publikut (sipas rezultateve të sondazheve të opinionit publik) dhe institucioneve, ashtu edhe sektorit tregtar, për të cilin BE-ja është partneri më i madh. Puna për reformat e nevojshme është duke vazhduar”, është thënë në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë, dhënë “Radios Evropa e Lirë”.

Por, organizatat që monitorojnë zbatimin MSA-së, kanë thënë se institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e objektivave që përcakton kjo marrëveshje.

Njomëza Arifi, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, ka thënë se Kosova mezi ka arritur të zbatojë gjysmën e tyre.

“MSA-ja, praktikisht, është një dokument që ndahet në tre kapituj: qeverisje e mirë dhe sundim i ligjit, edukim-arsim, si dhe zhvillim ekonomik. Secili nga këta kapituj ka objektiva që duhen përmbushur në baza vjetore. Por, shumica e objektivave nuk përmbushen as 50 për qind, për shkak të mungesës së vullnetit, si dhe mungesës së koordinimit ndërinstitucional”, ka thënë Arifi për “REL”-in.

Më optimistë për rrugën evropiane të Kosovës janë zyrtarët qeveritarë.

Mehdi Sejdiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë për integrim evropian, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk qëndron shumë pas rajonit në raport me proceset integruese.

Sejdiu ka thënë se MSA-ja është duke u zbatuar dhe se institucionet janë të përqendruara në zbatimin e agjendës evropiane.

Sipas tij, Kosova do të aplikojë zyrtarisht për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian gjatë këtij viti, pasi, siç thotë, nuk ka asnjë kusht shtesë për ta kryer këtë proces.

“Ne nuk kemi ndonjë kusht të caktuar para aplikimit. Aplikimi mund të bëhet menjëherë. Normalisht se ky është vetëm fillimi i procesit, ndërsa proceset e tjera që ndodhin pas aplikimit, siç është marrja e pyetësorit, plotësimi i pyetësorit, pastaj vendimet e tjera nëpër strukturat e BE-së, janë ato që kërkojnë kohën e tyre”, ka thënë Sejdiu.

Por, përveç kritereve teknike, Komisioni Evropian ka thënë se përparimi i Kosovës në BE varet edhe nga dialogu i saj me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Të dyja vendet janë duke zhvilluara negociata qysh nga viti 2011. Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të arritura, shumica nuk zbatohen në terren.

Anëtarësimi i shteteve në BE është një proces tejet kompleks dhe me vjet i gjatë.

Për të mbërritur atje, duhen bërë disa hapa dhe kaluar disa faza, si: kërkesa për anëtarësim në BE, rekomandimi për statusin e kandidatit, statusi i kandidatit, nisja e negociatave për anëtarësim, përfundimi i negociatave dhe ratifikimi i traktatit të anëtarësimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova nga 29 korriku deri më 7 gusht do të…