Qeveria kritikohet nga shoqëria civile për mungesë të transparencës

23 gusht 2020 | 17:57

Kosova edhe më tej është duke u përpjekur që të ndërtojë institucione transparente dhe llogaridhënëse, por sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet që janë në pronësi publike, ende vuajnë nga mungesa e transparencës.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se po bëhen gati 100 ditë të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, dhe sipas saj, kjo qeveri ende nuk ka emëruar zëdhënësin e saj, i cili konsiderohet si një urë lidhëse mes qeverisë dhe shoqërisë civile.

“Marrë parasysh edhe gjendjen aktuale shkaku i pandemisë, shumë vendime kjo qeveri i ka marrë, por jo që janë prezantuar para qytetarëve në mënyrën e duhur. Sa i përket takimit të 4 shtatorit në ShBA, që mendoj se duhet të kemi një transparencë më të madhe rreth këtij takimi. Është thënë se do të ketë një ‘Ekip të Unitetit’, por ende gjithçka është në mjegull, pra nuk kemi informata nga qeveria se sa është punuar në këtë drejtim, a janë ftuar partitë opozitare apo shoqëria civile”, ka thënë Demolli-Nimani.

Ajo ka thënë se Kosova kohëve të fundit ka marrë donacione të ndryshme nga shtete të ndryshme dhe Bashkimi Evropian dhe në këtë drejtim, siç shprehet ajo, duhet një transparencë më e madhe për mënyrën se si do të adresohen ato mjetet.

“Do të donim të kemi një transparencë shumë më të madhe rreth kësaj çështjeje se si do të shpenzohen këto mjete e donacione nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Demolli-Nimani.

Ndërsa Visar Xhambazi, analist nga organizata Demokracia për Zhvillim, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se me gjithë zotimet e kryeministrit Avdullah Hoti se qeveria e tij do të jetë transparente, në praktikë nuk është. Ai thotë se mostransparenca është duke u vërejtur. “Në fakt, për dallim nga qeveria e kaluar, Qeveria Hoti nuk ka zëdhënës të qeverisë. Si rezultat, kjo po krijon vështirësi për mediat në marrjen e informacioneve nga institucionet relevante. Vlen të theksohet mungesa e informacioneve në raport me dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Xhambazi.

Mostransparenca, ka theksuar Xhambazi, nuk është problemi i vetëm me të cilin po ballafaqohet kjo qeveri. Sipas tij, rritja e numrit të rasteve me covid-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri) si dhe mungesa e unitetit brenda koalicionit qeverisës, ka krijuar një situatë tejet të vështirë, e cila, siç thotë ai, mund ta dërgojë vendin në një krizë të re politike.

“Të gjitha postet publike, të cilat i kanë këta persona, pa marrë parasysh a jemi duke folur për kryeministrin, apo ministra apo nëpunës civilë, të gjithë kanë përgjegjësi publike dhe prandaj qasja në informacione është obligative dhe kërkohet me ligj. Në çdo moment këto institucione duhet të jenë të hapura për të gjitha vendimet që i marrin dhe në fakt e kanë edhe obligim ligjor që të japin informacione medieve dhe qytetarëve të Kosovës apo të paktën t’i publikojnë ato informacione në ueb-faqet e tyre përkatëse”, ka thënë Xhambazi. Në anën tjetër, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria Hoti është mjaft transparente dhe se sipas tij, pohimet se ekzekutivi nuk është transparent, nuk qëndrojnë.

“Ne mundohemi me punën tonë që të jemi maksimalisht transparent. Në cilësinë e këshilltarit për media, mirëpo edhe këshilltarët e tjerë të sektorëve përkatës, zakonisht u përgjigjemi interesimit të medieve. Kështu që sa i përket Kryeministrisë, secili aktivitet ne përpiqemi që maksimalisht të jetë i hapur për opinionin dhe mediet të kenë mundësi të qasjes”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka thënë se edhe sa i përket bisedimeve dhe procesit të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti është transparent. Më tutje, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, ka thënë se jo vetëm qeveria Hoti, por edhe dy qeveritë e kaluara të Kosovës, nuk kanë qenë sa duhet transparente.

Ajo ka thënë se edhe ish- qeveritë dhe kjo aktualja, kanë vonuar në emërimin e zëdhënësve të ekzekutivit. Transparenca është një çështje me të cilën merren shumë autoritete, institucione dhe biznese. Transparenca paraqet një nga parimet themelore për arritjen e një demokracie të shëndoshë dhe një shteti apo shoqërie funksionale, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas skadimit të kontratës në muajin qershor, Edinson Cavani preferoi…