Qeveria kritikohet për mosprocedim të ligjeve

01 gusht 2020 | 20:33

Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës ka hyrë në muajin e tetë të punës, por deri më tash ka përmbushur vetëm 5 për qind të agjendës së saj legjislative. Ndonëse në kohë të pandemisë, Kuvendi që prej konstituimit të tij i ka mbajtur më shumë se 20 seanca.

Nga 137 ligje sa janë paraparë gjithsej për miratim, Kuvendi i ka miratuar vetëm 7 sosh, 4 janë në procedurë, ndërsa 126 tjera janë në pritje për t’u futur në procedurë, raporton KTV.

Për këtë zvarritje të përmbushjes së agjendës, zyrtarë të Kuvendit të Kosovës po e akuzojnë qeverinë.

Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares së Kuvendit, ka thënë se përmbushjen e agjendës po e pamundëson qeveria, e cila po e vonon procedimin e ligjeve në Kuvend.

Ndonëse në procedurë për shqyrtim janë vetëm 4 ligje, nga qeveria e kanë quajtur perceptim mungesën e procedimit të ligjeve.

Xhavit Beqiri nga Zyra e kryeministrit Hoti është shprehur se qeveria, edhe pse në kohë të pandemisë, e ka përshpejtuar ritmin e mbledhjeve dhe se i ka proceduar normalisht projektligjet në Kuvend.

Se qeveria duhet të luajë rol më proaktiv në procedimin e ligjeve thotë edhe analisti politik Rasim Alija. Ai konsideron se aprovimi i një numri të madh ligjesh që janë jetike për funksionimin normal të institucioneve ka stagnuar pikërisht për shkak të vonesave të qeverisë në procedim, por edhe për shkak të vonesave të komisioneve parlamentare në shqyrtimin e tyre.

Kjo legjislaturë e Kuvendit, ndonëse nuk e ka përmbushur kënaqshëm agjendën ligjore që nga konstituimi i saj, i ka formuar dy qeveri ndryshe nga çdo legjislaturë tjetër deri më tash.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 80-vjeçare në Torino u kujdes për bimët e marijuanës…