Qeveria kritikon BE-në për dekurajim të qytetarëve serbë në Kosovë

30 korrik 2024 | 08:35

Qeveria e Kosovës ka vazhduar me kritika ndaj Bashkimit Evropian pas vendimit të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët serbë të Kosovës që posedojnë pasaporta të Serbisë. Ky vendim sipas përfaqësuesve të partisë në pushtet Vetëvendosje jo vetëm që është kundër kushtetutes, por ndikon edhe në çështjen e sigurisë. Partitë opozitare akuzojnë Qeverinë se ka bërë marrëveshje të dëmshme me Serbinë përmes të cilat po i lejohet Serbisë të ketë ndikim në Kosovë.

Vendimi i Këshillit të BE-së për heqjen liberalizimin e vizave për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë me pasaporta ilegale serbe po shihet me telashe të mëdha nga Qeveria e Kosovës. Qeveria konsideron se ky vendim përbën shkelje të sovranitetit të Kosovës.

Ndërsa, deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje vlerëson se ky vendim i BE-së ndikon edhe në aspektin e sigurisë.

“Ne kemi qenë që nga fillimi kundër sepse përveç se dekurajon serbët ka të bëjë edhe me aspektin e sigurisë. Këta qytetarë të cilët ende posedojnë pasaportat ilegale të cilat i lëshon padrejtësisht Qeveria e Serbisë dhe që lëvizin lirshëm në vendet e BE-së ata duhet ta kenë një adresë dhe kush merr përgjegjësi për ta”, tha Enver Dugolli, deputet i VV-së.

Partitë opozitare konsiderojnë se vendimi i BE-së është një goditje për sovranitetin e Kosovës. Por, jo vetëm kaq. Sipas deputetit të PDK-së Hisen Berisha, me këtë vendim është goditur edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka fajësuar Qeverinë se me Serbinë ka bërë marrëveshje të dëmshme përmes të cilave, sipas tij, Beogradi ka ndikim në Kosovë.

“Është një goditje e rëndë edhe për çështjen e dialogut. Është mesazh i keq dhe i dëmshëm për Kosovën. Kjo po tregon se Serbia ka ende ndikim në Kosovë. Tashmë po shihet se është kthyer çështja e Kosovës në një temë të hapur ku njohja reciproke më nuk është opsion. Kjo cfarë po ndodh edhe si rezultat i dialogut midis Qeverisë Kurti dhe Serbisë”, tha Berisha

Po, deputeti e VV-së Enver Dugolli nuk pret që qytetarët serb që janë pajisur me pasaporta të Kosovës të heqin dorë prej tyre pasi BE-ja vendosi t’i liberalizoj vizat për qytetarët me pasaporta të Serbisë.

“Jo, qytetarët serbë që tani më kanë pasaporta të Republikës së Kosovës nuk besoj se do të heqin dorë nga to për shkak se benifitet janë më të mëdha. Përvev se mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen, ata mund të lëvizin lirshëm edhe në Kosovë”, tha Dugolli.

Deputeti i PDK-së kërkon nga Qeveria të bëjë më shumë punë në politikën e jashtme për ta portretizuar Serbinë si agresorë.

“E kam thënë edhe me herët se Serbët do të kenë mundësi që të marrin dokumente udhëtimi në zyrën e Kosovës në Beograd. Atëherë janë konsideruar se ato kanë pasur legjitimitet dhe sot BE-ja i ka përligjur”, tha Berisha.

Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. BE-ja e ka arsyetuar këtë vendim se të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga regjimi pa viza kur të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht nuk është bërë e ditur nëse numri i qytetarëve serbë që kanë aplikuar për pasaportë të Kosovës ka rënë pas një fluksi që ndodhi në fillim të vitit kur Kosova mori liberalizimin e vizave./RTV21

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i çështjeve politike, Avni Arifi, thotë se çdo variant…