Qeveria “kursen” paratë e destinuara për projektet kapitale
Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të shpenzojë të gjitha mjetet e ndara për realizimin e projekteve të vlerësuara si kapitale. Për nëntë muajt e këtij viti, janë shpenzuar rreth 260 milionë euro, nga 789 milionë sa ishin dedikuar me buxhetin e këtij viti për këto projekte.
Në raportin financiar të shpenzimeve, që përfshinë nëntë muajt e vitit (janar – shtator) të Ministrisë së Financave, thuhet se vlera prej rreth 260 milionë euro, paraqet një normë të ulët të ekzekutimit, krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori apo periudhën e njëjtë të vitit paraprak, si rezultat i aprovimit me vonesë të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2019 si dhe një intensiteti të ulët të ekzekutimit të buxhetit nga organizatat buxhetore.
Nga kjo shifër, sipas raportit, shuma më e madhe është shpenzuar për ndërtimin e rrugëve, me mbi 154 milionë euro, për ndërtesa (shkolla, spitale dhe objekte tjera publike) janë shpenzuar 44 milionë euro, kurse vlera më e ulët është shpenzuar për toka, shpronësime, automjete për transport dhe siguri publike.
Ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se nevojitet ndryshim në mënyrën e planifikimit të projekteve kapitale.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se si parakusht që një projekt të jetë i suksesshëm, kërkohet që në fillim të realizohet një planifikim efektiv dhe i kujdesshëm. Nga niveli lokal dhe ai qendror, ka thënë ai, kanë munguar burime të nevojshme që paraqiten në projektet e sektorit publik.
Kështu që mjetet për projekte kapitale, ka thënë Limani, nuk mund të shfrytëzohen nëse nuk ekziston fizibiliteti i programeve investimeve.
“Unë mendoj se niveli lokal, por edhe ai qendror çalojnë në ofrimin e programeve dhe investimeve. Por, kryesisht deri në 90 për qind të vlerës së mjeteve për investime kapitale, janë shpenzuar për infrastrukturë rrugore, në autostrada. Unë parimisht nuk jam pajtuar me këtë, ndonëse infrastruktura është një faktor mjaft i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, por nuk është bartëse e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Limani.
Edhe Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara -GAP, ka thënë se kategoria e investimeve kapitale është kategoria me planifikimin dhe realizimin më të ulët, krahasuar më kategoritë tjera buxhetore.
Ai ka theksuar se institucionet qendrore dhe ato lokale duhet të iniciojnë, planifikojnë dhe menaxhojnë me projekte të tilla. Por, në këtë fushë, sipas tij, mungojnë kapacitete profesionale për hartimin dhe menaxhimin e projekteve në sektorin publik.
“Faktorët pse kjo kategori shpenzohet më pak janë të ndryshëm. Në rend të parë është mungesa e kapaciteteve profesionale, qoftë në komuna apo nivelin qendror, për të menaxhuar projektet kapitale sepse tek shpenzimet e investimeve kapitale, ka procedura të tenderimit, prokurimit dhe janë disa vështirësi që reflektojnë në menaxhim të dobët ose kapacitete të ulëta të planifikimit në sektorin publik sa i përket investimeve kapitale”, ka thënë Thaqi për “Radion Evropa e Lirë”.
Ai më tutje ka theksuar se që nga krijimi i institucioneve vendore është bërë traditë që investimet kapitale të orientohen në infrastrukturën rrugore. Thaqi ka thënë se është e domosdoshme të ndryshohet orientimi i mjeteve për projekte kapitale dhe këto të realizohen për një plan më afatgjatë.
“Kosova ka nevojë për shumë projekte të reja kapitale dhe sfida në shumë fusha, mirëpo për t’i adresuar të gjitha ato, nevojitet një nivel i profesionalizimit, përgjithësisht planifikim më të mirë”, është shprehur ai.
Ndërsa profesori Limani thekson se fokusimi i parave të buxhetit në infrastrukturë e ndërtim të objekteve, ka anashkaluar investimet në sektorin e prodhimit, i cili sipas tij, mund të krijojë vende të reja pune dhe të ndikojë në rritjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.
“Mendoj se për shkak të orientimit të investimeve në infrastrukturë dhe energji kanë mbetur mbrapa programet tjera për shkak të mungesës së mjeteve. Shpenzimet kapitale duhet të investohen në industrinë prodhuese”, ka thënë Limani.
Ndryshe, vlera e shpenzimeve për projekte në sektorin publik viteve të fundit është rritur vazhdimisht. Në vitin 2017, vlera e mjeteve buxhetore për këtë kategori ka qenë rreth 470 milionë euro, në vitin 2018 rreth 533 milionë euro, kurse gjatë këtij viti ishte 789 milionë euro.
Sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve për vitin 2020-2022, buxheti i Kosovës për vitin 2020, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro, kurse për shpenzime kapitale vlera do të arrijë në mbi 794 milionë euro.
Tek shpenzimet kapitale, thuhet në kornizën afatmesme, prioritet do tu jepet aktiviteteve që kanë ndikim në zhvillimin afatgjatë ekonomik, përfshirë këtu infrastrukturën publike dhe investimet me ndikim në zhvillimin e produktivitetit në sektorin privat.