Qeveria Kurti, dorëlirë me fëmijët, dorështrënguar me pensionistët
Rritja e mirëqenies nga çasti kur një fëmijë vjen në këtë botë e deri në pleqërinë e vonë, është një nga çështjet që më së shumti i preokupon qytetarët. Për këtë, partitë e qendrës së majtë, si në rastin e Kosovës, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), rritjen e mirëqenies e vënë në top-premtimet qeverisëse.
Në krye me Albin Kurtin, dikur aktivist i zëshëm kundër “shtypjes sociale”, LVV-ja erdhi në pushtet me zotimet se do t’i afrohen derës së qytetarit si asnjëherë më parë dhe do ta “përmbysin varfërinë e skajshme”.
Në fund të mandatit katërvjeçar e në ardhje të zgjedhjeve të reja, vlerësohet se ky pushtet do të mbahet mend për sukses me shtesat për fëmijë dhe për dështim me skemat pensionale.
Veçanërisht, premtimi i Qeverisë, i cili ishte listuar si prioritet i dytë, ishte që vizioni për mirëqenien sociale do të arrihet “nëpërmjet mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë dhe rritjes së aktivitetit në tregun e punës”.
Pavarësisht nismave të reja në mbrojtjen sociale, një hulumtues i politikave sociale vlerëson se me notë nuk kalon më lartë së shtatëshja e fakultetit. Ndërsa një tjetër thotë se sa kanë mjaftuar këto nisma dhe se sa ka qenë efekti i tyre, lë për të dëshiruar dhe lë hapësirë për debat.
Edhe pse kohë pas kohe u dhanë nga 100 euro shtesë për pensionistët, çështja e skemave pensionale në thelb mbetet një nga çështjet e zvarritura ndër vite pa një zgjidhje afatgjatë, sidomos për kontribut-paguesit.
Mbrojtja sociale përfshinë segmente të ndryshme që përfshijnë të gjithë sektorët, që nga arsimi e deri te shëndetësia, megjithatë janë analizuar disa prej tyre që kanë qenë më të ekspozuara në opinionin publik gjatë këtij mandati në përfundim.
Shtesa shtesë
Arritja më e madhe e qeverisë së tanishme besohet të jenë shtesat për fëmijë, gjë që edhe vetë partia në pushtet e cilëson si një veprim progresiv që nuk është bërë gjatë pushtetit 20 vjeçar të partive tjera.
Hiç më larg se para dy muajve ishin bërë ndryshime në skemat për shtesat mujore për fëmijët, skemë e cila ishte krijuar në fillim të mandatit në të Qeverisë Kurti II, më saktësisht në vitin 2021.
Nga 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2 vjeçare, ndërsa nga 10 euro në muaj për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, në vitin 2024 me skemën e re, shtesat u dyfishuan, ndërsa në rastet kur nëna ka tre fëmijë ose më shumë, shtesat u trefishuan. Këto shtesa shtesë do të merren që nga fundi i muajit gusht.
Nënat me një ose dy fëmijë do të marrin nga 20 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa nënat me tre fëmijë e më shumë, do të marrin nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë. Për të gjitha gratë që lindin, por janë të papuna, qeveria paguan për 6 muaj rresht shumën prej 170 euro.
“Për më se 20 vite asnjë qeveri nuk e kishte marrë mundin të bënte diçka për nënat dhe fëmijët. U deshtë që të vinte një qeveri si kjo e jona, progresiste, demokratike e që ka në qendër mirëqenien e secilit qytetar, e më në fund edhe nënat dhe fëmijët të ndjejnë dorën e mirë të shtetit” – kishte thënë kryeministri Kurti gjatë prezantimit të skemës së re në korrik 2024.
Se kjo është arritja më e madhe e Qeverisë Kurti II vlerëson edhe hulumtuesi i politikave sociale, Artan Mustafa, i cili thotë se asnjë shtet tjetër në rajon nuk ka një program të këtillë “kaq të madh për mbrojtjen e fëmijëve dhe kaq universal”.
“Me shtesën e njëhershme ekstra 100 euro mbi ato bazë, gjatë vitit 2023 ky program ka ofruar shtesa më të mëdha relativisht me të ardhurat në vend sesa programi i ngjashëm në Suedi (historikisht shteti model i socialdemokracisë)”- tha Mustafa për KALLXO.com.
Kjo skemë e realizuar ishte një nga premtimet e programit qeverisës 2021-2025, në të cilin shkruan se fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj.
Mustafa thotë se universaliteti i këtij programi është veçanërisht i dobishëm për fëmijët që gjenden në shtresat e ulëta sepse shton gjasat për t’i mbrojtur fëmijët nga varfëria dhe e bën këtë pa bërë gabime të shënjestrimit të të varfërve ose pa stigmatizuar ata.
Ndërkaq si arritje të dytë, Mustafa e sheh lansimin e pagesave të pushimit të maternitetit për gratë e papunësuara që lindin fëmijë.
“Edhe ky është program universal, që përkon me zgjerimin e kësaj të drejte, si e drejtë e nënshtetësisë në shumë vende europiane”- thotë Mustafa.
Në programin qeverisës shkruante se do të ndryshojnë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, shteti do të paguajë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë, e që sipas Kurtit, mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat e lehonisë.
Shefi i ekzekutivit, Kurti në korrik 2024 ishte mburrur me gjërat që janë bërë në fushën e politikave sociale, me theks të veçantë punësimin e grave.
Gjatë këtij mandati është shënuar një numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, kishte thënë ai, duke shtuar se e kanë katërfishuar- nga 10 në 45 për qind, praninë e grave në bordet e drejtorëve.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se kanë mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit.
Kurti ka thënë se ka përdorur masa të synuara ndaj bizneseve në pronësi ose në bashkëpronësi të grave dhe iu kanë ofruar grante dhe subvencione më të larta në kuadër të programeve qeveritare të efiçiencës së energjisë.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk u tha në Raportin e BE-së për Mbrojtje Sociale në Kosovë, i publikuar në qershor 2024, në të cilin shkruan se Kosova mbetet një nga rajonet më të varfra të Europës, me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë, veçanërisht në mesin e grave dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Pa zgjidhje afatgjatë për pensionet
Pensionet vazhdojnë të jenë nga 100 euro ai i pleqërisë deri në 265 euro pensioni kontribut-pagues. Ky është një nga problemet e trashëguara ndër vite për të cilën nuk është gjetur një zgjidhje- nëse jo përfundimtare, të paktën afatgjatë.
Edhe pse rritja e fundit është bërë në vitin 2021, vlera e parasë ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve në shkallë globale, që ka ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, ushqimit, e ilaçeve — nevojave bazë të të moshuarve.
Edhe pse 25 euro në vitin 2002, pensioni bazë ka lëvizur ndër vite në 50, 70, 95 e deri te 100, megjithatë, rreth 70,000 pensionistë kanë mbetur me 100 euro pension për shkak se nuk i kanë pasur apo nuk kanë mund t’i dëshmojnë vitet e nevojshme të përvojës së punës para vitit 1999 për ta marrë pensionin kontributpagues, i cili është prej 182 deri në 265 euro.
Jon Krasniqi, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), thotë se dështimi më i madh mbetet skema e pensioneve, e cila nuk është reformuar apo financuar në mënyrë adekuate.
“Kjo çështje e vazhdueshme ka lënë shumë qytetarë të moshuar pa mbështetje të mjaftueshme financiare, duke reflektuar sfida më të gjera në sistemin e mbrojtjes sociale”- thekson Krasniqi.
Ai thotë se paaftësia për të realizuar një sistem të fuqishëm pensionesh nënvizon paqëndrueshmërinë financiare dhe zbatimin e dobët Qeveria për mbrojtjen sociale.
Pos rritjes së pensionit bazik në 100 euro, i vetmi ndryshim ndodhi më 6 korrik 2023 kur Qeveria e Kosovës bëri ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale.
Në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Skema Pensionale, qytetarët që kishin mbushur 65 vjeç dhe mund të dëshmonin se i kanë 15 vite të plota përvojë pune deri para vitit 1999, mund ta merrnin pensionin kontributpagues prej 180 deri në 265 euro, në bazë të kualifikimit shkollor. Ata që kishin 14 vjet e 364 ditë përvojë pune nuk kualifikoheshin për këtë pension dhe merrnin vetëm atë bazë prej 100 euro.
Ndryshimi i Ligjit më 6 korrik ua mundësoi pensionin kontribut-pagues edhe ish-punëtorëve që u larguan nga puna në mënyrë të dhunshme në vitet e ‘90-a dhe nuk i kishin mbushur 15 vjet përvojë pune për këtë shkak. Gjykata Kushtetuese konstatoi se neni që e lejonte këtë, diskriminonte rreth 74,000 pensionistë.
Por, ky ndryshim ngarkon edhe më tej buxhetin shtetëror, i cili gjatë vitit 2023 ishte 3.5 miliardë euro. Nga ky buxhet, 600 milionë euro në vit, që përbën 17% të buxhetit shtetëror vjetor, ndahen për t’i mbuluar shpenzimet e skemave pensionale.
Premtimi qeveritar ishte rishikimi dhe ristrukturimi i skemave aktuale sociale dhe pensionale, nëpërmjet pastrimit të listave të përfituesve të tyre, por një premtim i tillë të paktën deri më tani nuk është realizuar.
Ndër tjera, u premtua reformim i sistemit arsimor dhe atij për mbrojtje sociale.
Në anën tjetër, Artan Mustafa thotë se Qeveria ka bërë mirë edhe duke mos bërë disa veprime që i janë kërkuar, si për shembull, vazhdimi i lejimit të tërheqjes së parakohshme të kursimeve pensionale.
“Ose që nuk ka krijuar programe partikulariste (që shënjestrojnë një grup të caktuar shoqëror shpesh për arsye klienteliste)”- tha Mustafa.
Pensionet përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen sociale në Ballkanin Perëndimor, por produktiviteti dhe punësimi i ulët, bashkë me plakjen e popullsisë dhe emigracionin, rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të këtyre sistemeve, sipas një raporti të Bankës Botërore në vitin 2023.
Hulumtuesi Krasniqi thotë se pavarësisht disa përparimeve, numri i përgjithshëm i politikave afatgjata të përshtatshme dhe efektive mbetet i kufizuar.
“Zbatimi i politikave ekzistuese shpeshherë është i paqëndrueshëm për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme në nivel komunal, mungesës së stafit profesional dhe planifikimit joadekuat buxhetor që nuk arrin të vlerësojë dhe përmbushë nevojat reale të qytetarëve”- thotë ai.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës vënë në pah se shkalla e inflacionit në Kosovë ka lëvizur ndër vite, gjë që e bën të vështirë të mbijetohet me një pension që nuk rritet përkitazi me standardin.
Në vitin 2019 ishte 2.7 për qind, në vitin 2020 ishte 0.2 për qind dhe në vitin 2021 ishte 3.4 për qind. Kulmin e arriti më 2022 – si për shkak të pandemisë, ashtu edhe për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kur u përmbyll me normë mesatare rreth 12 për qind.
Çka u bë e çka s’u bë?
Në mesin e shumë premtimeve në fushën e mbrojtjes sociale, disa prej tyre u përmbushën, disa jo, e për disa ende ka shumë pakënaqësi.
Në mesin e tyre, më të përfolurat janë paga minimale, punësimi, Ligji i Punës dhe mbrojtja nga varfëria.
Qeveria kishte premtuar se do të rimbursojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, varësisht nga të ardhurat vjetore që marrin këto familje.
“Këtu do të ndërhyjmë me politika sociale me ç’rast, brenda mandatit tonë, të gjithë qytetarët tanë që jetojnë me më pak se një euro në ditë, do t’i nxjerrim nga varfëria ekstreme” – ishte zotuar Kurti para se të marr qeverisjen në duar.
Kurti kishte thënë se duke i nxjerrë nga varfëria njerëzit, do të mundësojnë t’i nxjerrin nga mjerimi social me fokus fëmijët, gratë dhe të moshuarit.
Artan Mustafa thotë se një zhvillim i rëndësishëm negativ ka qenë arritja e një marrëveshje me Bankën Botërore, që i ka kushtuar Kosovës 47 milionë euro huazim, për reformën e programit të ndihmës sociale e që nisi të zbatohet këtë vit.
Ai thotë se nga LVV-ja është pritur të ofrojë politika alternative nga ato që zakonisht promovon Banka Botërore dhe të nxis mendimin vendor për atë se si duhet organizuar mbrojtja nga varfëria dhe tërë mbrojtja sociale.
“Në fakt, shpesh dhe fatkeqësisht, ministrat kyç në sektorët socio-ekonomikë edhe kanë folur me gjuhën e Bankës Botërore në vend se të promovojnë një diskurs që sfidon pabarazinë e thellë sociale në vend dhe emigracionin masiv për punë”- tha ai.
Ndërkaq, Krasniqi thotë se edhe pse Qeveria ka bërë përpjekje, duke përfshirë rritjen e asistencës sociale, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme.
“Masat e zbatuara nga qeveria e Kosovës gjatë katër viteve të fundit kanë qenë kryesisht të pamjaftueshme për të adresuar nevojat për mbrojtje sociale të popullatës”- tha ai.
Në raportin e BE-së në vitin 2024, shkruan se politika sociale e Kosovës dhe sektori i punësimit janë zona shqetësuese.
Aty shkruan se ekzistojnë norma të larta papunësie, pasiviteti dhe shpenzime të kufizuara mbi mbrojtjen sociale, duke rezultuar në qasje të pamjaftueshëm në shërbimet thelbësore,veçanërisht për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në zonat rurale.
Megjithatë, Kurti thotë se gjatë mandatit të tij, 51 për qind e të rinjve janë punësuar përmes platformës SuperPuna të sponsorizuar nga qeveria, së bashku me 55 përqind të përfituesve të masës të punësimit për familjet, sipas tij, janë gra.
Vendimi i marrë rishtazi për rritjen e pagës minimale shihet një nga arritjet e kësaj qeveria, e cila u bë 350 euro dhe pritet të hyjë në fuqi në tetor 2024. Megjithatë, opozita e sheh këtë vendim më shumë si tendencë të pushtetit për “përfitim elektoral”, duke hedhur dyshime mbi aspektin e përmbushjes së këtij vendimi.
Para kësaj vlere, paga minimale në Kosovë ishte e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
“Nuk ka dyshim se pjesëmarrja e LVV-së në forumet e Internacionales Socialiste dhe Aleancës Progresive ka qenë dobiprurëse për të në kuptim të profilizimit ideologjik”- tha ai.
Dështim tjetër i madh cilësohet mospërditësimi i Ligjit të Punës.
Mustafa thotë se ky përditësim realisht nuk mund të bëhet pa pasur një ide të qartë, një përcaktim, për ngritjen e një sigurimi publik shoqëror që i përshtatet kontekstit të vendit, e që sipas tij, LVV-së i mungon.
Për hulumtuesin Mustafa, ngritja e një sigurimi shoqëror publik të tillë është kruciale për t’i dhënë një dimension “publik” punës në sektorin privat, duke shtuar se fuqizimi i mbrojtjes së punësimit dhe ngritja e sigurimit shoqëror publik përbëjnë thelbin e një politike publike që synon më shumë solidaritet, punësim dhe barazi shoqërore.
“Për të gjitha këto, Qeveria Kurti II mezi do të merrte notën 7, një sukses i zbehtë shumë largshkëlqimit (nota 10) në fushën të cilën është dashur e është pritur ta ketë prioritet”- përfundoi Mustafa.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në 09.02.2025.