Qeveria Kurti e humbë edhe një betejë: Gjykata konstaton se është emëruar jashtëligjshëm Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e udhëhequr nga Hekuran Murati, e ka humbur betejën në Gjykatën Supreme, në rastin e emërimit të Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës. Kjo Gjykatë nuk e ka pranuar ankesën e ministrisë për të kontestuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte vërtetuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se emërimi i Kryeinspektorit të Punës ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktvendimin e Gjykatës Supreme thuhet se kërkesa e Ministrisë së Financave është e pas afatshme.
“Hedhet e pas afatshme kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshme të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga paditësi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelti – Departamentit për Çështje Administrative, AA nr. 354\2023, të datës 08.07.2024”, thuhet në aktvendimin e Supremes, i cili është nxjerr më 26 shtator.
Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se mbetet në fuqi aktgjykimi i Apelit.
“Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit – Departamentit për Çështje Administrative AA nr. 354\2023, të datës 08.07.2024, refuzohet si e pa bazuar ankesa e paditësit, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë AA nr. 1892\22, të datës 14.04 2023, vërtetohet”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme.