Qeveria Kurti, e humbur në dialog, pranoi autonomi të dyfishtë për serbët dhe për Kishën
Kohëve të fundit pothuajse çdo kush po flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Zëra të tillë ka edhe nga partia në pushtet.
Por nëse zgjedhjet mbahen me rregull, ato do të duhej të zhvilloheshin në shkurt të vitit 2025.
Në terren po shihet edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
E, me të edhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
E, këto dalje të shpeshta të kryeministri Kurti dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, për deputetin e LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, po shihen se mund të jenë edhe si shenjë për zgjedhje të parakohshme.
Ani pse siç thotë ai ky vit është vit i fushatës.
“Viti 2024 është i fundit i mandatit qeverisës të kësaj shumice parlamentare, prandaj dhe vit i fushatës. Për këtë arsye janë shpeshtuar paraqitjet e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, përfshirë kryeministrin. Po ashtu, mund të jenë shenjë për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Shala për Front Online.
Deputeti i LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala për Front Online ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Shalës në këtë proces Kosova është përfaqësuar shumë keq.
“Në procesin e dialogut Kosova është përfaqësuar shumë keq, pa asnjë orientim të qartë dhe pa platformë. Qeveria ka qenë krejtësisht e papërgjegjshme, ndërsa kryeministri krejtësisht i humbur”, ka thënë deputeti Shala.
Shala thotë se kryeministri Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe me Aneksin e Ohrit, ka pranuar autonominë politike-territoriale të serbëve, si dhe një status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe.
“Ai, me Marrëveshjen e Brukselit dhe me Aneksin e Ohrit, ka pranuar autonominë politike-territoriale të serbëve, si dhe një status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe, përtej rregullimit ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Ka pranuar dhe draft-statutin për themelimin e kësaj autonomie të dyfishtë, të serbëve dhe të kishës. Po ashtu, për mungesë koordinimi me aleatët dhe për veprime të njëanshme të qeverisë, Kosova ka humbur përkrahjen e aleatëve tradicionalë, si dhe, nga ana e BE-së, është vënë në sanksione”, ka shtuar deputeti Shala.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje të reja.
Qofshin ato të rregullta apo edhe të parakohshme.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për zgjedhje. Kemi mbyllur procesin e zgjedhjeve partiake, ristrukturimin dhe zgjerimin e partisë, kemi hartuar dhe miratuar programin e ri, ndërsa tani jemi në fazën e përgatitjeve teknike përfundimtare, si në degët e Kosovës, ashtu dhe në ato jashtë vendit”, ka Shala.
Albin Kurti ka marrë shkurtimisht pushtetin në vitin 2020, ndërsa një vit më vonë, në mars të vitit 2021, është rikthyer në krye të Qeverisë.
Atëkohë, ai ka thënë se do të angazhohet për luftën kundër korrupsionit dhe punësimin, rritjen e prodhimit, fuqizimin e ndërmarrjeve publike e të tjera – pa e përfshirë dialogun me Serbinë në mesin e prioriteteve.