Qeveria Kurti harton projektligj për krijimin e policisë ushtarake, ndërkombëtarët kundër

14 shtator 2021 | 22:12

Ministria e Mbrojtjes është në fazën e konsultimeve për projektligjin për policinë ushtarake.

Por, burimet diplomatike i kanë thënë Kanal10 se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë nuk po e përkrah një dokument të tillë, pasi që një mekanizëm i tillë, i jep kësaj policie fuqi mbi të gjitha prezencat ndërkombëtare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një projektligj që synon zgjerimin e kompetencave të policisë ushtarake në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por, zyrtarizimi i këtij dokumenti, do të bënte që një mekanizëm i tillë të ketë fuqi mbi të gjitha prezencat ndërkombëtare në vend, përfshirë KFOR-in.

Sipas pikës 2 të nenit 7 thuhet se Policia Ushtarake autoritetin e saj e ushtron mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendore dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre cenojnë veprimtarinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë, burimet diplomatike i kanë thënë Kanal10 se projektligji ka shqetësuar përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe po vlerësohet si antikushtetues.

Për këtë, televizioni i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Mbrojtjes, për të kërkuar përgjigje lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji dhe nëse ai mund të bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Nga kjo ministri kanë kthyer një përgjigje të përgjithshme, mirëpo duke mos dhënë sqarime lidhur me pyetjet e dërguara.

Aty thuhet se projektligji nga 9 shtatori ka nisur fazën e konsultimeve dhe ky proces do të zgjasë deri më 29 shator.

Në përgjigje thuhet se Ministria fton palët e interesuara dhe publikun për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në procesin e konsultimeve që nënkupton ofrimin e komenteve dhe rekomandimeve të nevojshme në mënyrë që ky projektligj të jetë sa më cilësor.

“Me këtë rast, ju ftojmë juve si media, por edhe palët tjera të interesuara dhe publikun e gjerë, që të marrin pjesë aktivisht në procesin gjithëpërfshirës të politikë-bërjes dhe nismave tona legjislative në proces dhe ato në të ardhmen duke ju garantuar transparencë dhe përgjegjësi të plotë”.

Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, me 26 mars 2007.

Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sigal Prishtina ka triumfuar ndaj Dritës 56:124 (8:35, 20:28, 12:29,…