Qeveria Kurti ka shënuar shumë dështime

05 maj 2020 | 11:07

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në televizionin Klan Kosova e ka kritikuar qeverinë në detyrë lidhur me menaxhimin e situatës me pandemi. Musliu-Shoshi ka thënë se pandemia nuk ka qenë prioritet politik i qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas saj, kjo qeveri është vonuar për marrjen e masave kundër përhapjes së Covid-19.

“Mendoj se pandemia ishte dashur të jetë prioritet politik i qeverisë Kurti. Unë nuk mendoj se ka qenë prioritet politik. Ngjarjet ditore politike kanë qenë prioritet. Pse ka dështuar ose nuk e ka menaxhuar mirë luftimin me pandeminë ose Covid-19 është vonesa e marrjes së masave. Përderisa ne votonim buxhetin nuk kishte një fond të miratuar, derisa vendet e tjera kishin filluar të merrnin masa. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që nga data 10 deri më 15 mars.

Në të njëjtën kohë kemi pasur shtete fqinje që kishin shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme, kurse te ne as që ishte në plan një fond i veçantë. Dështimi tjetër, përveç distancës sociale dhe higjienës, është testimi i vogël”, ka thënë Shoshi.

Deputetja shtoi se në Kosovë janë kryer pak testime edhe përkundër rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që të bëhen sa më shumë testime. Dështimi tjetër ka të bëjë me shkeljet kushtetuese, me kufizimin e orarit të lirisë së qarkullimit. Nuk them se është hap i keq, mirëpo duhet të ketë kritere edhe kur një qytet hyn në karantinë dhe kur del”, ka thënë ajo.

Ndërsa sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, ajo ka thënë se duhet të ketë një plan patjetër: “Tjetër dështim është Pakoja Emergjente e nënshkruar nga ministri më 3 prill. Është një shtresë për të cilin unë i kam ngritur shqetësimet. Është konkretisht shtresa e qytetarëve që nuk kanë asnjë të hyrë në muaj. Është pika 1.15 ose 1.16, por përsëri unë kam ankesa nga qytetarët. Edhe pse është shumë e vogël sepse ka familje që janë katër ose pesë anëtarë dhe tani ka kaluar muaji mars dhe prill dhe ata nuk e kanë marrë asnjë cent”.

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia, edhe sot, ashtu si dje, raportoi 10,102 raste të…