Qeveria Kurti ndërhyn në zgjedhje, MPJD-ja e merr në dorë procesin, udhëzon ambasadat që të veprojnë në kundërshtim me ligjin
Qeveria Kurti po tenton të ndërhyjë në organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qeveria ka udhëzuar ambasadorët që të veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale.
Në kërkesën e MPJD-së për ambasadat, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, kjo ministri kërkon që shefat e misioneve diplomatike të angazhohen për të siguruar palestra sportive e salla në vendet ku janë akredituar për realizimin e procesit të votimit.
Kërkesa në fjalë është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës vetëm KQZ është institucioni i thirrur për të organizuar procesin zgjedhor në vendin tonë.
Me anë të kësaj shkrese, MPJD ka marrë në dorë kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar procesin zgjedhor jashtë Kosovës.
Në këtë mënyrë, MPJD ka vepruar në kundërshtim edhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, MPJD ka për detyrë që t’i përgjigjet vetëm kërkesave të KQZ-së, por jo edhe të ndërmarrë veprime.
Çka thuhet në kërkesën e MPJD-së?
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.
Kërkesa në fjalë udhëzon në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.
“Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.
Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.
“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.
Në fund të kërkesës, kërkohet që misionet diplomatike të gjitha informacionet lidhur më marrjen e këtyre objekteve të dërgohen në MPJD deri me datën 29 tetor.
Pse kërkesa është në kundërshtim me ligjin?
Nga përmbajtja e shkresës shihet se MPJD- ka marrë në dorë kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar procesin zgjedhor jashtë Kosovës.
Shkresa konfirmon se MPJD është duke tentuar që ta zhvendos procesin e votimit nga objektet zyrtare shtetërore ku janë të vendosura përfaqësitë diplomatike në ambiente jo-shtetërore.
Të dy këto veprime janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme (neni 96, paragrafi 3) ka precizuar se “votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja” dhe që njëra nga mënyrat e votimit është (paragrafi 3.1.) “fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit”.
Ky ligj, i votuar në Kuvend nga të gjitha partitë politike, gjithashtu ka precizuar edhe rolin minimal të MPJD-së në procesin e votimit jashtë Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”, thuhet në paragrafin 8 të njëjtit nen.
Përveç këtyre veprimeve në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, shkresa e MPJD-së është ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur kushtetues.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm KQZ-ja është institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”, thuhet në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës.
MPJD-ja nuk e di se kur votohet në ambasada
Përveç fakteve të mësimpërme, në kërkesën e MPJ-së bie në sy mungesa e njohurive thelbësore se kur është dita e zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike për votuesit e mërgatës.
Sipas shkresës, për MPJD-në, dita e zgjedhjeve është më datë 7 dhe 8 shkurt 2024.
Sipas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, “votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë”, pra që i bie të jetë më 8 shkurt 2025.
Më tej, sipas ligjit, “Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës”.
Kurti kishte thënë se ambasadat do të shërbejnë si qendra votimi
Kërkesa e MPJD-së është në kundërshtimin edhe me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti.
Në qershor të vitit të kaluar, në seancën që ishte miratuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, kryeministri Kurti kishte bërë me dije se ambasadat do të shërbejnë si qendra votimi për diasporën.
“I gëzohemi shumë faktit që tashmë të gjithë mërgimtarëve që gëzojnë të drejtë e tyre për votim, do t’iu ofrohet mundësia që ta ushtrojnë atë duke zgjedhur mundësitë më të përshtatshme për ta, qoftë duke votuar në zyrat e ambasadave e konsullatave, qoftë duke votuar përmes postës brenda shtetit përkatës apo drejt Kosovës”, kishte deklaruar Kurti, duke treguar se ligji në fjalë do të ishte një lehtësi për mërgatën.
“Shpresojmë që sado pak me votimin e këtij Ligji sot do t’ju dalim hak të gjithë mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t’i bëjë edhe më krenarë kur atyre do të ju mundësohet votimi në shtetet ku jetojnë e punojnë“, kishte thënë ai.
Kërkesa e MPJD-së nuk është në përputhje me këto qëndrime të kryeministrit Albinb Kurti.
Tani po pretendohet që procesi i votimit të diasporës të realizohet jashtë ambasadave apo konsullatave të Republikës së Kosovës.
Përpjekje e MPJD-së po bëhen në kohen kur KQZ-ja e ka mbyllur këtë proces.
Më 29 gusht, KQZ-ja ka publikuar lista e Qendrave të Votimit për çdo Përfaqësi Diplomatike dhe numri maksimal i votuesve në secilën prej tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti po tenton të ndërdyjë në organizimin e zgjedhjeve. Në fillim të muajit shtator, Nacionale ka raportuar se Qeveria kishte bërë edhe një përpjeke të tillë.
Vendimi i KQZ-së për të kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar më 9 shkurt në përfaqësi diplomatike nuk i kishte pëlqyer partisë në pushtet. Kjo e fundit kishte përdorur edhe fuqinë e Qeverisë për të kontestuar në PZAP vendimin në KQZ-së.