Qeveria Kurti nis rrugën ligjore për largimin e kryetarëve në veri të Kosovës (dokument)
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka marrë vendim të hënën për caktimin e një grupi punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.
Bashkimi Evropian (BE) e ka thënë haptas që preferon dorëheqjen e kryetarëve si një rrugë më të shpejtë drejt zgjedhjeve të reja. Por, si duket pushteti ka marrë rrugën tjetër: atë që do të bënte largimin e kryetarëve përmes një iniciative qytetare.
Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ky grup e ka zgjedhur kryesues Besim Myrtezanin, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin dhe Flurim Arifin.
Grupi i emëruar do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”. Afati që i është dhënë këtij grupi është deri më 1 shtator.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka deklaruar gatishmërinë e saj për përgatitjen e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Albin Kurti kanë pasur deklarata të çuditshme duke lënë të nënkuptohej se zgjedhjet do të mbaheshin vetëm pas heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Këto masa ndëshkuese nuk janë hequr edhe më tej.
Zëvendëskryeministri Bislimi ishte cituar duke thënë se “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.”
Edhe më tej nuk dihet nëse serbët e vendit do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
Pushteti ende nuk ka treguar se çfarë do të ndodhte pas Udhëzimit Administrativ.