Qeveria Kurti po bllokon bartjen e të hyrave vetjake të komunave

07 prill 2023 | 10:34

Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga vitet paraprake ka thënë të enjten kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, teksa i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetjake të Prishtinës. Përndryshe, siç ka thënë ai, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës. Ndërkaq partitë opozitare kanë theksuar se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e komunave

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga vitet paraprake. “Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese t’i tjetërsojë të hyrat vetjake të komunave. Si kryetar i kryeqytetit u kam kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave, që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit të cilat qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, ka thënë Rama, shkruan “Epoka e re”.

Ai ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetjake të Prishtinës dhe të komunave në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. “Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i qeverisë për ta bllokuar zhvillimin e kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me bllokimin e të hyrave vetjake të komunave nga vitet paraprake, që është bërë nga Ministria e Financave. Tahiri në seancën e Kuvendit të Kosovës ka marrë fjalën duke thënë se kjo është antikushtetuese dhe e padrejtë. Ai ka kërkuar nga ministri Hekuran Murati dhe kryeministri Albin Kurti që të sqarojnë se mbi çfarë baze po bëhet kjo.

Deputeti i AAK-së ka përmendur edhe se si kjo çështje ishte rregulluar me amendamentin e LDK-së kur ishte votuar Ligji për Buxhetin.

“Ka të bëjë me një vendim totalisht absurd të ministrit të Financave, Hekuran Muratit. Unë nuk e di a janë të vetëdijshëm që më 15 dhjetor të vitit 2022 ka kaluar Ligji për Buxhet. Neni 9.6, i cili flet për bilancet e pashpenzuara që kalojnë në Fondin e Kosovës, është ndryshuar me amendamentin e LDK-së, pra u jep të drejtë komunave që t’i përdorë të hyrat vetjake. Unë nuk e di a e di kryeministri, zëvendëskryeministri Besnik Bisimi, që është e padrejtë, është antikushtetuese dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës ndalja dhe pengesa e shfrytëzimit të të hyrave vetjake. A e kuptoni që s’mund të punoni me këtë arbitraritet? Nuk mundeni me këtë qasje. Mbi çfarë baze i ndalni të hyrat vetjake? A ka mundësi të na shpjegojnë ministri dhe kryeministri”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa ministri Hekuran Murati ka thënë se kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike i cili parasheh bartjen e të hyrave vetjake nga viti vijues. “Kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike i cili parasheh bartjen e të hyrave vetjake nga viti vijues. Ligji për Buxhetin e parasheh këtë dhe po e zbatojmë këtë”, ka deklaruar ministri Murati.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk do të ketë normalitet në këtë Kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e komunave.

“Ministri i Financave po tenton ta prekë atë që është e rregulluar me Ligjin e Menaxhimin e Financave Publike. Financat lokale menaxhohen nga Ligji për Menaxhimin e Financave Lokale. Prandaj, mos bëni kësi skena, se po na detyroni të shkojmë në drejtime që janë të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të ketë normalitet në këtë Kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale apo komunave. Nuk do të kesh mundësi t’i marrësh paratë e komunave”, ka theksuar Gashi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi dhe…