Qeveria Kurti vazhdon moskoordinimin me aleatët ndërkombëtarë

30 qershor 2023 | 14:04

Qeveria e Kosovës duket se nuk është konsultuar e as koordinuar me aleatët ndërkombëtarë për vendimin e djeshëm për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, grupe këto që veprojnë në veri të vendit, si organizata terroriste.

Ky vendim, sipas qeverisë është marrë duke u bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës se të njëjtat “paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.

 

Madje është thënë se vendimi është marrë në koordinim me aleatët.

Por, të kundërtën janë duke e thënë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, gjegjësisht ShBA-ja, Britania e Madhe e Gjermania.

Në një përgjigje për  Klankosova.tv”, nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) kanë thënë se veprimi është marrë pa koordinim me ta.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar një zëdhënës i DASh-it.

Edhe Gjermania është deklaruar në lidhje me këtë çështje. Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, ka thënë se vendimi është marrë pa koordinim me Gjermaninë.

Madje është thënë se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada për “Klankosova.tv”.

Në përgjigje është thënë po se duke qenë dëshmitarë të krizës aktuale në komunat veriore të vendit, “një koordinim i afërt me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”.

“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Londrën sa i përket shpalljes së dy formacioneve ilegale në veri si organizata terroriste.

Në një përgjigje me shkrim për “Paparacin” të premten, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë tha se “nuk ishte konsultuar” për vendimin e qeverisë.

“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar (për vendimin)”, ka thënë shkurt një zëdhënës i Ambasadës britanike.

Por ndryshe nga aleatët, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dje në konferencën për medie, teksa ka njoftour vendimin për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe komponentën e saj “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, ka thënë se vendimi është marrë në koordinim me aleatët.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, ka thënë ai në konferencën e djeshme për medie pas mbledhjes së qeverisë, duke shtuar se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë në “Klan Kosova”, ka thënë mbrëmë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës atje, për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Por sipas amerikanit kryesor në Prishtinë, ShBA-ja është e shqetësuar pasi Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave.

Më 26 maj, qeveria kishte vendosur t’i dërgojë kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore nëpër objektet komunale, nën përcjelljen e policisë.

Ky veprim kishte nxitur protesta të dhunshme në pjesën veriore të vendit, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kishte reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, i cili sikurse vendimi për shpalljen e organizatave serbe si organizata terroriste, nuk kishte qenë i koordinuar me ta.

Që nga ajo kohë, raportet mes qeverisë së Kosovës dhe shteteve aleate janë përkeqësuar. ShBA-ja ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës nëse nuk i tërheq kryetarët nga objektet komunale, e t’i zhvendosë nëpër objekte tjera përcjellëse. Kërkesë tjetër është tërheqja e forcave policore nga ndërtesat komunale, sikurse edhe shpallja e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna.

Edhe BE-ja ka paralajmëruar masa të ndryshme ndëshkuese për Kosovën në rast se nuk vepron drejt shtensionimit të situatës në këtë pjesë të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit