Qeveria Kurti vazhdon t’i mashtrojë qytetarët
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se qeveria Kurti është e dobët dhe mashtruese.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Lekaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka realizuar asnjë premtim që e ka dhënë në kohën sa ka qenë në opozitë.
“Ka premtuar që do të bashkohemi me Shqipërinë, që nuk do të ulet në tryezë me Serbinë pa i plotësuar kërkesat e shtetit tonë, që do të hapë vende pune, që do ta rregullojë mirëqenien e qytetarëve, që do ta përmirësojë sistemin shëndetësor, që do t’i rregullojë problemet e sektorit privat, që do t’i ndihmojë bujqit e bujqësinë e Kosovës, që do t’i përkrahë ndërmarrjet e kompanitë vendore e shumë e shumë premtime të tjera. Asnjë nuk e ka realizuar. Madje gjendja është edhe më keq sesa që ka qenë”, ka thënë Lekaj.
Në këtë kontekst, Lekaj ka thënë se qeveria Kurti duhet t’u kthehet punëve të mëdha.
“Qeveria duhet ta lë anash mendjemadhësinë dhe ndjenjat e të qenit fitues i zgjedhjeve, e me këtë duhet t’u kthehet angazhimeve e punëve të mëdha, ndërsa punët e mëdha kryhen vetëm me pozitë-opozitë të bashkuar. Po urojmë dhe shpresojmë që do të fillojnë të mendojnë e të veprojnë për shtetin!”, është shprehur Lekaj.
Duke folur për punën e opozitës, Lekaj ka thënë se është rritur presioni publik sa i përket mosveprimit të pushtetit.
“Ne jemi përfaqësues të popullit dhe populli është i pakënaqur. Presioni publik është rritur dhe është i drejtë përballë punëve të qeverisë dhe këtu ne jemi zëri i tyre”, ka deklaruar Lekaj.
Në këtë intervistë Lekaj ka folur edhe për vizitat e fundit të liderëve të Kosovës jashtë vendi dhe të amerikanëve në Kosovë. Ai ka folur edhe për themelimin e komisioneve hetimore për çështjen e energjisë.
Sa iu përket vizitave, Lekaj ka thënë se janë sinjale për qeverinë Kurti në raport me dialogun me Serbinë.
“Vizitat amerikane flasin për respektin e përkrahjen amerikane ndër vite përballë shtetit të Kosovës, gjithashtu janë mësime dhe sinjale për qeverinë Kurti që Kosova duhet të përmbyllë një herë e përgjithmonë dialogun me Serbinë dhe që qeveria Kurti duhet ta harrojë arrogancën dhe luftën politike përballë opozitës për interesa të brendshme e që pa humbur kohë të bëhet konstruktive në bashkëpunim me të gjithë ne për interesat kombëtare”, ka thënë Lekaj.
Kurse sa i përket themelimit të komisioneve hetimore, Lekaj është shprehur i bindur se do të dalin në pah keqpërdorimet që kanë ndodhur me energjinë, sidomos gjatë kohës së krizës energjetike. “Nga ky komision besoj do të dalin të vërteta mbi keqpërdorimet mbi energjinë përballë qytetarëve. Dikush duhet të marrë përgjegjësi”, ka thënë Lekaj.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, si e vlerësoni punën e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Kurti?
Lekaj: Qeveria Kurti është qeveri e dobët. Fatkeqësisht, nuk ka ndryshuar trajektore në qeverisje, edhe pse kaloi një vit në pushtet. E kjo është shqetësuese.
“Epoka e re”: Vazhdimisht jeni duke e akuzuar Kurtin për mashtrim. Pse?
Lekaj: E quajmë mashtrues sepse ka mashtruar dhe po vazhdon t’i mashtrojë qytetarët e vendit. Ka premtuar se do të bashkohemi me Shqipërinë, se nuk do të ulet në tryezë me Serbinë pa i plotësuar kërkesat e shtetit tonë, se do të hapë vende pune, se do ta rregullojë mirëqenien e qytetarëve, se do ta përmirësojë sistemin shëndetësor, se do t’i rregullojë problemet e sektorit privat, se do t’i ndihmojë bujqit e bujqësinë e Kosovës, se do t’i përkrahë ndërmarrjet e kompanitë vendore e shumë e shumë premtime të tjera. Asnjë nuk e ka realizuar. Madje gjendja është edhe më keq sesa që ka qenë.
“Epoka e re”: Si i keni parë vizitat e fundit të liderëve të Kosovës në ShBA e Berlin si dhe vizitat e zyrtarëve amerikanë në Kosovë?
Lekaj: Vizitat amerikane flasin për respektin e përkrahjen amerikane ndër vite përballë shtetit të Kosovës, gjithashtu janë mësime dhe sinjale për qeverinë Kurti që Kosova duhet ta përmbyllë një herë e përgjithmonë dialogun me Serbinë dhe që qeveria Kurti duhet ta harrojë arrogancën dhe luftën politike përballë opozitës për interesa të brendshme e që pa humbur kohë të bëhet konstruktive në bashkëpunim me të gjithë ne për interesa kombëtare. Ndërsa vizitat kosovare jashtë vendit nga krerët e qeverisë janë pak të vonuara dhe të dobëta, sepse e kemi thënë edhe më herët që në diplomacinë e jashtme jemi të dështuar për shkak të shumë arsyeve.
“Epoka e re”: Kuvendi i Kosovës ka themeluar dy komisione hetimore për energjinë. Çfarë rezultatesh prisni nga këto komisione?
Lekaj: Themelimi i komisioneve ishte i nevojshëm. Ishte dëshmi për Kurtin që, përkundër që e ka shumicën në udhëheqje, Kosova nuk ka qenë dhe nuk është shtet që udhëhiqet nga një person apo parti. Për këtë vend, për ta ndërtuar këtë liri e pavarësi, është derdhur shumë gjak brez pas brezi dhe nuk zhbëhen gjërat lehtë, prandaj lëshimi i qeverisë Kurti për krijimin e Komisionit Hetimor për Energji ishte sfidë dhe leksion për qeverinë. Nga ky komision besoj do të dalin të vërteta mbi keqpërdorimet mbi energjinë përballë qytetarëve. Dikush duhet të marrë përgjegjësi.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, nga këndvështrimi juaj, a është duke e kryer opozita rolin e saj karshi pushtetit?
Lekaj: Opozita qysh nga fillimi ka qenë më shumë se e civilizuar. Qeverisë i është lënë kohë një vit qeverisje. Çdo kundërshtim e akuzim përballë pushtetit ka qenë i menduar mirë e në mënyrë të butë. Tani ka kaluar një vit dhe pa dyshim që duhet ta kundërshtojmë sepse nuk ka bërë asgjë të mirë e ndonjë ndryshim që vlen të përmendet. Ne jemi përfaqësues të popullit dhe populli është i pakënaqur dhe dosido presioni publik është rritur dhe është i drejtë përballë punëve të qeverisë dhe këtu ne jemi zëri i tyre.
“Epoka e re”: Prisni që opozita të jetë më e bashkuar në raport me temat që kanë të bëjnë me shtetin dhe qytetarët?
Lekaj: Qeveria duhet ta lë anash mendjemadhësinë dhe ndjenjat e të qenit fituese e zgjedhjeve. Duhet t’u kthehet angazhimeve e punëve të mëdha, ndërsa punët e mëdha kryhen vetëm me pozitë-opozitë të bashkuar. Po urojmë dhe shpresojmë që do të fillojë të mendojë e të veprojë për shtetin.