Qeveria Kurti vs Prokuroria Speciale, ministrat që u intervistuan gjatë vitit 2024

17 dhjetor 2024 | 08:24

Keqpërdorimet me rezerva shtetërore, keqpërdorimet në korporatën energjetike të Kosovës, janë disa nga çështjet për të cilat ministrat e qeverisë Kurti shkuan për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.

Kreu i qeverisë Albin Kurti nuk është i vetmi që të cilit gjatë këtij viti  mori një ftesë për intervistim nga prokurorët e shtetit.

Për të njëjtën çështje që u ftua Kurti, dyshimet për keqpërdorimet me rezerva shtetërore, 8 muaj më herët ishte marrë në pyetje nga prokuroria speciale ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Pas Hajdarit, në korrik të këtij viti, jo në zyret e Prokurorisë por të hetuesve policor u morr në pyetje Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Intervistimi i ministres u bë me autorizim të Prokurorisë Speciale, pas deklarimeve në Debat Plus se prokurorë e gjyqtarë kanë kërkuar takim me të për raste të caktuara, e pas statusit të saj ku kishte thënë se arratisjet nga burgjet e Kosovës janë të nxitura nga Serbia.

“Siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizuar policinë për të më kërkuar intervistim”, kishte deklaruar Albulena Haxhiu.

Muajin e kaluar në cilësinë e dëshmitares u intervistua edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Prokurori ka lexuar një paralajmërim se për shkaqe te hetimeve detajet e hetimeve nuk duhet bërë publike ngase çdo publikim paraqet vepër penale. Kështu që më shumë se kaq nuk mund të ju themi asgjë më shumë”, deklaroi avokati i Rizvanollit, Artan Qerkini.

Temat për të cilat është pyetur ministrja, në media u raportuar se kanë të bëjnë me rastet që po hetohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, tashmë i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muajin e kaluar në Prokurorinë Speciale ishte paraqitur për intervistim edhe koordinatorja e Komiteteve të Lëvizjen Vetëvendosje Dejona Mihali, e që u raportua se edhe intervistimi i saj lidhet me hetimet ndaj Krasniqit.

Ndërkohë që në maj të këtij viti, në cilësinë e të dyshuarit ishte intervistuar zëvendësministri i Mjedisit, Hysen Durmishi për nënshkrimin e kontratës për rrugën Prishtinë-Podujevë./Tv Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali Igor Kirillov, kreu i forcave të mbrojtjes bërthamore, biologjike…