Qeveria lehtëson aktivitetin ekonomik të tatimpaguesve
Me sponzorim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të lehtësuar ushtrimin e aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesëve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia Covid-19.
Përmes këtij vendimi shtyhet bllokimi i llogarive bankare për të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), deri më datë 30.04.2021; Lirohen llogaritë e bllokuara të të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime tatimore ndaj ATK-së, deri më 30.04.2021; Hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera në ATK, nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30.06.2021.
Heqja e ndëshkimeve bëhet për të gjithë tatimpaguesit nëse: Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit dhe interesit; Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste; dhe tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin dhe interesin.