![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/01/vaksina-2.jpg)
Qeveria lejon MSh-në të negociojë për vaksinën anti-Covid pa procedurat e prokurimit publik
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike, ku me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar vendimi për përjashtimin e nenit 3 të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës për negocimin e kontratës për sigurimin e vaksinave anti-Covid.
Dokumenti i parë i shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar ka qenë Raporti i punës së qeverisë për periudhën qershor-dhjetor 2020.
“Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregullorja për rregullat dhe mënyrën e sjelljes së vizitorëve në hapësirat e Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Dy udhëzime administrative kanë marrë miratimin e Qeverisë, Udhëzimi Administrativ për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale nën moshën e përgjegjësisë penale dhe Udhëzimi Administrativ për zbatimin e drejtësisë mike ndaj fëmijës në procedurën penale, civile dhe administrative”, ka njoftuar qeveria.
Kabineti qeveritar, pas shqyrtimit ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, janë aprovuar masat për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej dyqind e njëzetë e dy milionë e katërqind mijë euro (222 400 000 ).
Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin për alokimin e parakohshëm nga ndarjet aktuale buxhetore për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së datës 8 janar 2020 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19 në Republikën e Kosovës.