Qeveria maqedonase në 100 ditë: Kritika për ngecjen në rrugën drejt BE-së
Këtë javë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, që u krijua nga koalicioni i partive VMRO-DPMNE-VLEN-ZNAM, shënon 100-ditëshin e parë të punës.
Për Qeverinë ato ishin ditë të suksesshme. Porse opozita i konsideron katastrofike – si në planin e brendshëm për shkak të përkeqësimit të raporteve ndëretnike, ashtu dhe në atë të jashtëm, për shkak të moszhbllokimit të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian (BE).
Në paraqitjen e tij me rastin e 100 ditëve të Qeverisë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se kabineti qeveritar mbetet i vendosur në rrugën e përmbushjes së dy qëllimeve strategjike – mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qëndrimin në rrugën drejt BE-së. Ai paralajmëroi reforma të mëdha në drejtësi, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, projekte dhe investime të reja, masa dhe vendime me rëndësi të madhe për qytetarët. “Mbase mund të ishin edhe më të suksesshme, por absolutisht nëse dikush do të më pyeste a jam i kënaqur, do të thosha se qind për qind jam i kënaqur me secilin që mori shansin gjatë këtyre 100 ditëve”, tha Mickoski.
Ai theksoi se Qeveria e tij “nuk do të bëjë asgjë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe orientimet strategjike të qytetarëve”, duke aluduar në kontestin me Bullgarinë dhe mosndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e komunitetit bullgar në të.
Sipas tij, për ndryshimin e Kushtetutës, Qeveria e tij “kurrë nuk do të lëshojë pe”, për shkak se “ky do të ishte nënçmim dhe turp për qytetarët maqedonas”.
Më 25 shtator 2024, ambasadorët e vendeve të BE-së vendosën njëzëri për nisjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në bllokun evropian, duke e ndarë atë nga Maqedonia e Veriut, e cila nuk arriti të përmbushë kushtin për ndryshimin e Kushtetutës.
Ndryshimet kushtetuese parashohin përfshirjen e bullgarëve si popull shtetformues, për të vazhduar procesin e integrimit evropian dhe për të hapur negociatat me Komisionin Evropian.
Një nga premtimet kryesore parazgjedhore të VMRO DPMNE-së ishte përparimi në procesin e integrimit evropian dhe anëtarësimi i plotë në BE. Ndërkohë, partneri i tyre i koalicionit, koalicioni shqiptar VLEN, kishte vendosur një afat gjashtëmujor në programin e tij për përmbushjen e kushtit që do të mundësonte fillimin e negociatave me BE-në.
Lidhur me 100-ditëshin e punës së Qeverisë, më 29 shtator 2024, koalicioni VLEN, veçmas nga partneri qeveritar VMRO-DPMNE, u lavdërua me arritjet e veta.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, njëkohësisht edhe lider i Lëvizjes Demokratike (LD), si sukses përmendi disa projekte, duke përfshirë luftën kundër biznesit të kazinove, për ç’gjë, sipas tij, tashmë kanë nisur procedurat. “Angazhimi ynë është të vazhdojmë me përkushtim deri në eliminimin e plotë të këtyre aktiviteteve që shkatërrojnë jetën sociale dhe ekonomike të mijëra familjeve”, tha ai.
Pavarësisht optimizmit të Qeverisë, partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e ka pritur 100-ditëshin e parë të saj me sloganin “100 ditë arsyetime, skandale dhe dëshpërime”. “Deri tani, nuk ka pasur një Qeveri me një fillim kaq të keq të sundimit. Nëse dita shihet nga mëngjesi, edhe më keq i pret qytetarët dhe shtetin me Mickoskin dhe VMRO DPMNE-në. Kjo është Qeveria më e paaftë që nga pavarësia e shtetit e deri më sot”, thanë nga kjo parti.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti shqiptare në opozitë, e vlerësoi me nota negative 100-ditëshin e koalicionit qeverisës, duke e goditur sidomos partnerin shqiptar të koalicionit, grupimin VLEN. “Vendimi i Bashkimit Evropian që ta ndajë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin tonë evropian, është dështim shekullor për Qeverinë me legjitimitet monoetnik”, thanë nëpërmjet një komunikatë për media nga BDI-ja, duke kërkuar kthim të menjëhershëm të prioritetit shtetëror për integrim evropian dhe distancim të menjëhershëm të Qeverisë nga partneriteti ruso-kinez.
Por, a janë njëqind ditë të mjaftueshme për t’i vlerësuar punët e Qeverisë?
“Mendoj se 100 ditë janë një periudhë e shkurtër për të dhënë një vlerësim të saktë për performancën e kësaj qeverie, apo të çdo qeverie tjetër”, thotë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë analisti politik, Xhelal Neziri.
Sipas tij, tremujori i parë i Qeverisë maqedonase është periudha kur duhet të respektohet vullneti i shumicës, i dhënë në zgjedhje të drejtpërdrejta. “Besoj se kjo periudhë i është dhënë. Sa është shfrytëzuar kjo periudhë nga ana e Qeverisë, për të bërë apo për të nisur reforma radikale, besoj se është bërë shumë pak”, konsideron ai.
Neziri vlerëson se gjatë kësaj periudhe, Qeveria ka qenë e pakoordinuar për të bërë reforma, siç i quan ai “radikale”. “Zakonisht, kjo periudhë shfrytëzohet nga çdo qeveri. Fillimi i mandatit shfrytëzohet për të bërë reforma të mëdha radikale, për të marrë vendime të mëdha ose për të bërë marrëveshje që janë të dhimbshme në rrethana normale politike. Mendoj se në këtë periudhë, kjo Qeveri nuk ka arritur t’i bëjë këto kthesa të mëdha; nuk arriti t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, edhe pse fillimi i mandatit do të ishte një kohë e përshtatshme për t’i bërë ato, sepse nuk do të shkaktonte edhe aq shumë dëme politike për vetë partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës”, vlerëson Neziri.
Ai shton se, përveç premtimeve për reforma në administratë, të cilat përfunduan si antireforma me miratimin e Ligjit për riorganizimin e saj, ku numri i ministrive u rrit nga 16 në 20, Qeveria nuk arriti të përmbushë edhe shtyllën kryesore të programit të saj parazgjedhor – luftën kundër korrupsionit. “Pas gjithë atyre akuzave për funksionarë të korruptuar nga Qeveria e kaluar, megjithatë nuk pamë se ka ndonjë hetim serioz lidhur me ato indicie. Po ashtu, shkaktoi probleme të panevojshme edhe me fqinjët, me vetë faktin se nuk respektoi Kushtetutën e re të vendit, që do të thotë përdorimin e emrit të ri kushtetues (Maqedonia e Veriut) për përdorim të përgjithshëm, dhe me këtë shkaktoi problem edhe me Greqinë”, thotë Neziri, duke përmendur edhe një përkeqësim marrëdhëniesh me Bullgarinë. “Pra, kemi një funksionim të Qeverisë që është në kundërshtim me ato tri shtyllat e programit të saj, të cilat janë: integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit”, shpjegon Neziri duke nënvizuar se nëse duhet të vlerësohet ndonjë arritje gjatë këtij 100-ditëshi, kredia e marrë prej gjysmë miliard eurosh nga Hungaria, “mund të jetë një infuzion i rëndësishëm për vendin”.
Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fushatës parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, por nuk kishte treguar se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në Maqedoninë e Veriut duke siguruar 250 milionë euro. Kurse, pjesa tjetër e huas prej 250 milionësh, është e destinuar për zhvillimin e bizneseve.
Kushtet, sipas të cilave shteti e merr huan nga Hungaria, janë me një kamatë vjetore prej 3.25 për qind, një periudhë “grejs” trevjeçare dhe 12 vjet për shlyerjen e kredisë.
Çfarë thonë qytetarët?
Viktoria Ristovska, qytetare nga Tetova, mendon se periudha e 100-ditëshit të parë nuk mjafton për të dhënë një vlerësim të plotë. Megjithatë, sipas saj, Qeveria nuk ka treguar deri tani rezultate konkrete. “Sinqerisht, nuk di çfarë të them. Mendimet i kam të përziera. Edhe pse Qeveria e re, si çdo qeveri, që premton në fillim dhe na tregon ambicie për reforma të reja, mendoj se rezultatet janë ende larg premtimeve që morëm. Ngecja e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian është një dështim dhe mendoj se mosmarrëveshjet që kemi si shtet, me fqinjët tanë, e bllokojnë rrugën që vendi ynë të anëtarësohet në BE”, thotë Ristovska për Radion Evropa e Lirë. Në të njëjtën linjë me të është edhe Albërie Xhemaili nga Kumanova. Edhe ajo thotë se është herët për një vlerësim të qëndrueshëm, por vëren se niveli i përfaqësimit politik të shqiptarëve ka rënë ndjeshëm.
Një tjetër këndvështrim ka Omer Demiri nga Shqipëria, i cili studion në Maqedoninë e Veriut: “Më shqetëson fakti se Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Shqipëria po vazhdon përpara, kur në fakt rrugëtimin e kanë filluar të dyja bashkë. Ky dallim në ecurinë evropiane midis dy vendeve fqinje ngjall pyetje serioze mbi prioritetet e politikave të brendshme të Maqedonisë (së Veriut) dhe angazhimin e saj për reformat që kërkohen nga BE-ja. Por, mendoj se ka pasur edhe hapa pozitivë, shembull një shok më tha se ka filluar një lloje fushate për mbylljen e kazinove online. Mendoj se ka përparime, por është e qartë se ka ende shumë punë për të bërë që të përmbushen pritjet e qytetarëve”. /REL