Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këto vendime
Qeveria e Republikës së Kosovës të premten ka zhvilluar një mbledhje elektronike.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar edhe për vendimet e marra në këtë mbledhje, në të cilën ka:
– Rialokuar 320 mijë e 428 euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në shërbim të zbatimit të Programit “Masat preventive – intervenime emergjente” nëpër komuna të ndryshme.
– Miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme, të konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR Nr. 1046/16, në shfrytëzim për Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës.
– Aprovuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të Ujërave të zeza në Ferizaj.