Qeveria mbështet ndryshimin e Ligjit që të mos pushohet në ditë pune nëse festat bien në fundjavë
Për çdo festë zyrtare që bie në ditë vikendi, aktualisht sipas Ligjit për festat zyrtare, llogaritet ditë pushimi edhe dita pasuese e javës, ose dita e punës.
Edhe për festën e Vitit të Ri, ndonëse datat e festës janë në ditë vikendi, me datë 1 dhe 2 janar, sipas kalendarit të festave zyrtare, data e pushimit do të jetë të hënën dhe të martën.
Një praktikë e tillë është kritikuar vazhdimisht por për plotësim-ndryshim të dispozitës së ligjit, nga Sindikata e Pavarur e Administratës thonë se duhet të konsultohen ata dhe shoqëria civile. Ndonëse nuk janë shprehur kundër, ka thënë se Kosova duhet të marrë për bazë praktikat e Bashkimit Evropian.
Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka kërkuar që ligji të respektohet njëjtë edhe për punonjësit e këtij sektori.
Ndërkohë që Qeveria e Kosovës thotë se do të mbështesë çfarëdo iniciative për ndryshimin e kësaj dispozite.
“Sa i përket çështje së ngritur për ndryshimin e dispozitës e cila aktualisht përcakton që të ketë ditë pushimi edhe atëherë kur festa zyrtare bie gjatë ditës së fundjavës, si Qeveri ne e mbështesim në parim ndryshimin e kësaj dispozite”, ka deklaruar për ATV, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Në kalanderin e festave zyrtare janë 11 festa. Ligji për festat zyrtare ka hyrë në proces të ndryshimit gjatë vitit 2021 kur të paktën pritet të shtohet në kalendar edhe Dita e Egjiptianëve.