Qeveria mburret me fitimin vjetor të BQK-së, ekonomistët e vlerësojnë normale

28 korrik 2024 | 18:37

10.38 milionë euro është fitimi vjetor që Banka Qendrore e Kosovës e ka siguruar, shumë të cilën ia ka transferuar Qeverisë.

Me këtë u mburr gjatë kësaj jave ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se një transfer i tillë mundësohet për herë të parë pas pavarësisë.

Këtë BQK-ja ia ka konfirmuar televizionit Dukagjini, derisa ka treguar edhe arsyet pse mjete të tilla nuk janë ndarë më herët.

E, ish-zëvendësguvernatori, Fatmir Gashi thotë se BQK-ja ka gjeneruar fitim edhe në të kaluarën, por buxheti i shtetit, sipas tij, nuk ka pasur nevojë për ato mjete.

“Ka qenë koha kur stabiliteti buxhetor ka qenë i mirë, nuk ka pas buxheti nevojë për ato mjete, dhe ato mjete janë rujtë përbrenda. Dëgjoni, ndodh ndonjë ditë që BQK të ketë edhe humbje mund të ndodh, dhe nëse ndodh humbjet mbulohen prej këtyre rezervave”, ka thënë ish-zëvendësguvernatori, Fatmir Gashi.

Kurse ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri thotë se këto mjete është mirë që kanë kaluar në buxhetin e shtetit, veçse sipas tij, nuk mund të merret si meritë e qeverisë pasi që BQK është institucion i pavaruar.

“Bordi i Bankës Qendrore vendos për me shpërnda sipas nevoje, mund të ketë nevojë më pru teknologji të re, apo diçka tjetër por edhe nëse teprojnë atëherë është normale që me u derdh në buxhetin e konsolidum të shtetit”, ka thënë ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri.

Kurse qëndrimet e njëjta me Shatrin e Gashin sa i përket BQK-së, nuk po i ndan edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, që tani është pjesë e LDK-së.

Ai vlerëson se është normale që krijohet fitim kur, sipas tij, mbi 700 milionë euro mbahen të bllokuara dhe përdoren nga qeveria.

Por, me këtë nuk pajtohet Gashi që thotë se këto mjete nuk lidhen asgjë me ato që ka përmendur Rukiqi.

“BQK krijon të hyrat e veta në bazë të punëve që ka prej Bankave Komerciale, prej kompanive të sigurimeve, prej investimeve prej atyre mjeteve që i ka, BQK nuk merret me investime kapitale, BQK merret me rregullimin e sektorit financiar”, ka thënë Fatmir Gashi, Ish-zv. Guvernator i BQK-së.

Fitimi Neto i BQK-së kap vlerën e mbi 27 milionë e 600 mijë euro këtë vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me rinisjen e prodhimit…