Qeveria me vendim arbitrar ndërhyn në Komisionin për Miniera dhe Minerale
Shkruan: Ferat Shala
Qeveria e Kosovës, me vendimin numër 01/213 të datës 15/07/2024, në pikën tre ndërhyn në mënyrë flagrante duke obliguar Komisionin për Miniera dhe Minerale (KPMM) që të shkel ligjin në procesin e dhënies së licencave për “Trepçë”.
Rikujtojmë se KPMM-ja i përgjigjet Kuvendit dhe në asnjë mënyrë ekzekutivit – Qeverisë. Kjo çështje është e ndarë me ligj, me qartësi të plotë juridike.
Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve të Qeverisë, KPMM-ja bënë shkeljet ligjore të radhës.
Ligji për Miniera dhe Minerale, neni 4, përcakton se; “asnjë person nuk mund të ushtroj aktivitete të hulumtimit, shfrytëzimit dhe/ose përpunimit të resurseve minerale ose çfarëdo aktiviteti tjetër pa licencë ose leje të lëshuar nga KPMM-ja, në përputhje me këtë ligj”.
Të drejtë për kryerjen e aktiviteteve minerare kanë vetëm ndërmarrjet e licensuara në pajtim me Ligjin për Miniera dhe Minerale, ndërsa Ligji për Miniera dhe Minerale nuk njeh mundësi të lejimit të punës me vendime por vetëm me licencë, në këtë kuptim licenca mund të vazhdohet me licencë tjetër dhe jo me vendime.
Bordi i KPMM-së ka marr vendim për vazhdim të afatit të licencës për tre muaj, në kundërshtim me Ligjin për Miniera dhe Minerale.
Ky ligj parasheh që KPMM-ja mund t’i vazhdoj licencën ndërmarrjes pasi ti plotësoj kushtet e nenit 36 paragrafi 1 dhe 2, dhe nenet 6, 31 dhe 32 të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Neni 36 i Ligjit për Miniera dhe Minerale paragrafi 3, parasheh që KPMM-ja brenda tre muajve duhet të trajtoj kërkesën për vazhdim të licencës, përjashtimisht KPMM-ja mund të vazhdojë këtë afat edhe për një periudhë tre mujore, mirëpo nuk parasheh se mund të lejohet aktiviteti minerar gjatë periudhës së trajtimit të kërkesës nga KPMM-ja.
Ky lloj vazhdimi, bie ndesh me programin e shfrytëzimit të licencës në kuptim të nenit 31.
Paragrafi 1.8.1, që për lëshim të licencës kërkon; “një vlerësim të aktualizuar të burimeve minerale, për të cilën do të vlejë licenca si dhe një vlerësim të jetëgjatësisë së minierës, bazuar ne hulumtimet e kryera”.
Ky vazhdim nuk gjen mbështetje as në nenin 49 të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Neni 49 paragrafi 5, vetëm e përjashton ndërmarrjen publike nga kërkesa për deponimin e garancisë, ndërsa nuk e përjashton nga kërkesat tjera në kuptim të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Neni 49 paragrafi 6 parasheh që ndërmarrja publike në 90 ditë para skadimit të licencës në interes të publikut të kërkoj zgjatjen e afatit të licencës.
KPMM dhe Qeveria duke zbatuar nenin, kërkesat e nenit 49, marrin vendim për zgjatjen apo jo të kërkesës.
Qeveria ka marr vendim për konfirmimin e interesit publik me datën 15/07/2024 sipas vendimit nr.01/213, kërkesa e KPMM-së është bërë me datën 12/07/2024, ndërsa KPMM ka vendosur për zgjatje të afatit të licencës në mbledhjen e datës 05/07/2024, në kundërshtim me nenin 49, paragafi 6 të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Në vendimin e marr me datës 05/07/2024, KPMM-ja ka vendosur se ndërmarrja duhet ti sjellë sigurimin për rreziqet për palët e treta, që nënkupton se e njëjta nuk i ka plotësuar kushtet për zgjatje të afatit, sepse nuk i ka plotësuar kushtet e përcaktuara me nenin 6 paragrafi 1.4.2, që parasheh se një person mund të marr licencë nëse; “posedon sigurimin për të gjitha rreziqet ndaj palëve të treta, që vlen përgjatë gjithë afatit të licencës ose lejes, në shumën e arsyeshme minimale të caktuar nga KPMM-ja”.
Vendimi bie ndesh me detyrimet qe rrjedhin nga neni 4 i Ligjit numër 05/L-062 për siguri në punë në veprimtarinë minerare, për shkak se ndërmarrja nuk posedon sigurim për dëmet eventuale në raste aksidenti në minierë.
* Autori është kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti si dhe deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës