Qeveria merr vendim për përkthimin e ligjeve në alfabetin e brailit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është shprehur i lumtur me vendimin e sotëm të qeverisë për përkthimin e infrastrukturës ligjore për personat e verbër në alfabetin e brailit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se do të vazhdoj të angazhohet për krijimin e infrastrukturës dhe kushteve të nevojshme për të gjitha grupet e personave me aftësi të veçanta. “Jam i lumtur që në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u mor vendimi për përkthimin e infrastrukturës ligjore për personat e verbër në alfabetin e brailit – një proces që e kam nisur me kërkesë të Shoqatës së të Verbërve dhe kryetarit të saj, Bujar Kadriu. Në funksion të krijimit të qasjes sa më gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e Kosovës, do të vazhdoj të angazhohem për krijimin e infrastrukturës dhe kushteve të nevojshme për të gjitha grupet e personave me aftësi të veçanta. Urime”, ka shkruar Hoxhaj.
/Epoka e re/