Qeveria miratoi propozimet e MSh-së lidhur me Covid-19
Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020, në të cilat është përcaktuar që:
– Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kanë në posedim rezultatin negativ të testit për Covid-19, jo më të vjetër se 4 ditë, nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit;
– Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;
– Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare; dhe
– Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.
“Mbetet në fuqi pika e vendimit sipas të cilës është përcaktuar që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër Covid-19”.
“Deri më 12 qershor 2020, Ministria e Shëndetësisë miraton Manualin për Mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private, ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër. Autorizohet Ministria e Shëndetësisë që në pajtim me Ligjin të nisë procedurat e rekrutimit të dyqind specialistëve shëndetësorë që do të mbikëqyrin zbatimin e Manualit nga ky vendim”, është bërë me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
(M.K / Epoka e re)