Qeveria miraton 2 projektligje dhe 4 projekt-rregullore të MPMS-së
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka paraqitur për miratim dy projektligje të rëndësishme për të cilat MPMS ka punuar gjatë në bashkëpunim të ngushtë edhe me akterët tjerë.
Ministri Reçica, përmes një postimi të tij në “FB”, ka njoftuar qytetarët se, në ketë mbledhje është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomik Social, përmes së cilit do të rregullohet funksionimi i dialogut social në mes të partnerëve social në sferën e zhvillimit ekonomiko-social, si dhe projektligji për Inspektoratin e Punës, përmes së cilit ai tha se, po synojmë të fuqizojmë dhe reformojmë Inspektoratin e Punës, i cili ka mandatin kryesor në mbikëqyrjen e zbatueshmerisë së legjislacionit dhe akteve tjera që rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës, sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ministri Recica, po ashtu, ka shkruar se, sot, miratimin e qeverisë e morën edhe katër projekt-rregullore të MPMS-së, që burojnë nga Ligji për Ndërmarrjet Sociale, konkretisht; projekt-rregullorja për Procedurat e Regjistrimit të Ndërmarrjeve Sociale, projekt-rregullorja për Procedurat e Raportimit për Arritjen e Objektivave Sociale dhe Raportet Financiare, projekt rregullorja për Procedurat e Marrjes, Refuzimit dhe Humbjes së statusit të Ndërmarrjes Sociale si dhe Përbërja e komisionit dhe projekt-rregullorja për Strukturat Përgjegjëse të Monitorimit, Kontrollit dhe Procedurat për Gjoba dhe Ankesa të Ndërmarrjeve Sociale.