Qeveria miraton agjendën e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes

09 tetor 2024 | 12:15

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të Bashkimit Evropian (BE) për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se BE-ja ka kërkuar aprovimin e kësaj agjende të reformave.

“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se Kosova ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive.

Ai ka treguar se si rezultat i këtij plani, Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro.

Kurti ka thënë se agjenda përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete.

Ai ka thënë se në këtë agjendë hynë qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Infermierëve Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës…