Qeveria miraton buxhetin e Kosovës për vitin 2025

30 tetor 2024 | 16:54

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025. Buxheti projektohet të jetë 3.6 miliardë euro, ka njoftuar kryeministri Albin Kurti, para se kabineti qeveritar ta miratonte projektbuxhetin, i cili tash do të shkojë në Kuvend të Kosovës për votim.

“Jemi në këtë mbledhje sot për të shënuar rekordin historik për të quar deri në fund mandatin qeverisës dhe duke miratuar 4 vjet rresht buxhetin e vendit. Për vitin 2025 buxheti shënon shumën e përgjithshme prej 3 miliardë e 608 milionë euro. 300 milionë euro është rritja vetëm për paga”,  ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se rritja e pagave nën qeverisjen e tij është si rezultat i rritjes së buxhetit.

“87 milionë euro i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes. 16 milionë euro janë shtuar te skema e kujdesit për fëmijë. Bujku ynë do të vazhdojë të jetë më i mbështeturi në rajon, përmes granteve. 930 milionë euro janë ndarë për investime në infrastrukturë, hekurudha e rrugë. Investimet do t’i vazhdojmë edhe në pjesën veriore të vendit, duke investuar në infrastrukturë, kur shtrirja e ligjshmërisë tashmë është punë e kryer. 240 milionë euro më shumë për komunat. Ky do të jetë buxheti i 4-t për këtë mandat dhe i pari për mandatin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshill të…