Qeveria miraton emërimin e tre anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë
Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar emërimi i tre anëtarëve të rinj në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë të Kosovës për Akreditim.
Ministria e Arsimit njofton se pas skadimit të mandatit të katër anëtarëve vendorë, është shpallur thirrja publike për nominimin dhe vetnominimin e anëtarëve vendorë të KSHC-së.
Sipas Ministrisë Komisioni ka vlerësuar aplikimet dhe nga 13 kandidatët të cilët kanë plotësuar kushtet, ka rekomanduar me përparësi 6 kandidatë.
Në bazë të kompetencave, ministrja Arbërie Nagavci ka paraqitur për miratim në Qeveri anëtarët si në vijim.
-Mirlinda Batalli-Zhubi, doktor shkence e cila vjen nga fusha e drejtësisë dhe është profesoreshë e rregullt në Universitetin e Prishtinës, me mbi 20 vite përvojë.
Profesoresha Batalli ka përvojë në procese të vlerësimit të sigurisë si anëtare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKA; ka përvojë në aktivitete në sundimin e ligjit me organizata ndërkombëtare dhe ka qenë e angazhuar si pikë kombëtare e kontaktit për Programin e kërkimit shkencor Horizon Europe te BE 2015-2019.
-Avni Berisha, doktor shkence në fushën e Kimisë dhe është profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, me 17 vite përvojë pune në institucionet e arsimit të lartë. Ka një numër të konsiderueshëm të certifikimeve dhe trajnimeve në fushën e shkencës, vendore dhe ndërkombëtare. Profesori Berisha në platformën Scopus ka 133 publikime shkencore me H-Index 31.
-Jetmir Haxhibeqiri, doktor shkence nga fusha e Shkencave Kompjuterike, aktualisht i angazhuar si hulumtues i lartë në institucione të arsimit të lartë jashtë vendit.
Haxhibeqiri ka bërë 2 aplikime në patenta në nivel evropian dhe ka përvojë në fushën e përgatitjes së planprogrameve dhe sigurimit të cilësisë në fushën e shkencave kompjuterike. Në Platformën Scopus ka 47 dokumente publikime shkencore me H-Index 13.
Aktualisht janë 5 anëtarë në KSHC prej tyre 3 ndërkombëtarë dhe 2 vendorë.