Qeveria miraton koeficinetin për paga
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.
“Pas këtij procesi shumë kompleks e voluminoz, është mbërritur të vlera e koeficientit për vitiin 2023 dhe ai është 105, ndërsa në janar të vitit 2024 sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ai do të jetë 110 euro”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Sipas Kurtit, çdo vit në bazë të mundësive buxhetore, ky koeficient do të lëvizë.
Ligji i ri i pagave në Kosovë pritet të hyjë në fuqi gjatë këtij muaji.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Sipas Ligjit, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.
Pas presidentit, renditet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 17.5.
Koeficienti i kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa e deputetit dhe ministrit është 16.4.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit. Ai u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.