Qeveria miraton marrëveshjen ndërkombëtare me Bosnjën e Hercegovinën për lëvizje të lirë vetëm me letërnjoftime

08 shkurt 2023 | 11:59

Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh përmes kësaj marrëveshje do të përfitojnë qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë të letërnjoftimeve, qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin duke përdorur vetëm njërin letërnjoftim të njërit prej shteteve sipas marrëveshjes në fuqi”, u shpreh ai.

Pas ratifikimit të dy shteteve, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës do të lëvizin vetëm me letërnjoftim.

Po ashtu, u miratuan edhe dy marrëveshjet tjera atë për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Ndryshe, liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, më 3 nëntor të vitit të kaluar nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në këtë samit morën pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq – si dhe ata të BE-së.

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

 

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ishte shprehur Scholz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia, ka marrë vendim,…