Qeveria miraton marrëveshjen për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit
Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë të 19 qershorit marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për financimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit-porta globale me vlerë 100 milionë euro.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, bëri të ditur se përmes këtij projekti strategjik do të kryhet rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, për të mundësuar ofrimin e një shërbimi modern të transportit, arritjen e lëvizshmërisë së gjelbër të qëndrueshme sipas standardeve të BE-së.
“Parashikohet rehabilitimi i linjës hekurudhore me një gjatësi prej 120 km dhe rehabilitimi i 12 stacioneve hekurudhore për pasagjerë dhe mallra, ndërsa koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë”, tha Spiropali në një deklaratë, pas mbledhjes së qeverisë.
Më 6 qershor, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore.
Një pjesë e kostos totale të investimeve do të mbulohet nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve.
“Projekti synon të lidhë nëpërmjet hekurudhës, Shqipërinë me Malin e Zi nëpërmjet stacionit të përbashkët hekurudhor të Tuzit drejt Podgoricës, e më tej drejt lidhjeve hekurudhore ndërkombëtare midis kryeqyteteve, duke përfshirë Beogradin, Zagrebin, Lubjanën edhe Budapestin & do të japë një shtysë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit”, deklaroi Spiropali.
Sipas saj, ky projekt strategjik është një mundësi e madhe edhe për Shkodrën, qarkun dhe krejt rajonin veri-perëndimor.
“Kryeqendra e veriut dhe jo vetëm do të njohë një hov zhvillimi përmes aksesit të shtuar nga rehabilitimi i kësaj linje”, tha ajo.
Po çfarë përfshin ai konkretisht?
EIB Global, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) për financimin e aktiviteteve jashtë Bashkimit Evropian, ka nënshkruar një hua prej 100 milionë eurosh me Shqipërinë nën një paketë financiare Team Europe për modernizimin dhe elektrifikimin e një linje hekurudhore 120 kilometra nga Vora në Shqipërinë e mesme, deri në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi.
Projekti është në përputhje me mbështetjen strategjike të BE-së për ndërtimin dhe rehabilitimin e seksioneve kryesore hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, duke synuar të rrisë aksesin dhe atraktivitetin e transportit hekurudhor, duke kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik, lidhje më të mira tregtare, kalimin në mënyra më të qëndrueshme të transportit dhe dekarbonizimit të ekonomive vendore.
Paketa e financimit të Team Europe për këtë projekt përfshin kredinë e EIB-së prej 100 milionë euro të finalizuar sot, një grant investimi të miratuar prej 126 milionë eurosh të BE-së të kanalizuar nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe një kredi prej 98.75 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë dhe u ndoq nga një delegacion i EIB Global i kryesuar nga zëvendëspresidenti i BEI-së Kyriacos Kakouris, kryeministri shqiptar Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, André Rizzo.
Nënkryetari i EIB Kyriacos Kakouris, i cili është përgjegjës për aktivitetet e Bankës në Ballkanin Perëndimor, tha: “Ky projekt është një demonstrim i shkëlqyer i partneritetit të fortë nën iniciativën Team Europe. Përpjekjet tona të përbashkëta do të forcojnë lidhjen midis Shqipërisë, rajonit dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë që promovojnë lëvizshmëri të qëndrueshme që hedh themelet për një rrjet hekurudhor të zgjuar, elastik, të sigurt dhe gjithëpërfshirës në vend dhe rajon. Si bankë e BE-së për klimën, BEI është plotësisht e angazhuar në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit hekurudhor në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin”.
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha: “Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, që shtrihet 120 kilometra deri në kufirin malazez, është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për lidhjen rajonale, pasi ajo do të lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, duke nxitur rritjen ekonomike. Pas linjës hekurudhore Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit përfaqëson projektin e dytë madhor të qeverisë shqiptare në transportin hekurudhor. BEI mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në realizimin e disa projekteve strategjike në lidhje me infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore”.
Projekti do të mundësojë elektrifikimin e shinave hekurudhore, rindërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, futjen e një sistemi të ri telekomunikacioni dhe sinjalistike dhe përmirësime të sigurisë.
Këto do të mundësojnë shpejtësi trafiku deri në 120 km/h, duke rritur efikasitetin dhe kapacitetin e transportit hekurudhor të pasagjerëve dhe mallrave. Si një zgjatim i Korridorit Kryesor TEN-T Mesdhetar, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit lidh Tiranën me Podgoricën dhe është e vetmja lidhje hekurudhore midis Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës.
I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, André Rizzo tha: “Ndërsa Shqipëria dhe rajoni ecin përpara në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, njerëzit tashmë mund të përjetojnë përfitime konkrete nga ky proces. Linja hekurudhore Vore-Hani i Hotit e financuar nga BE do të sjellë udhëtime më të shpejta dhe më të sigurta si për mallrat ashtu edhe për pasagjerët përgjatë bregdetit të Adriatikut. Ai do të nxisë lidhjen për njerëzit dhe tregtinë në Shqipëri, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në. Për më tepër, do të kontribuojë gjithashtu në avancimin e tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë”.
Një ekip ekspertësh nga programi i përbashkët këshillimor i Komisionit Evropian dhe EIB JASPERS kanë zhvilluar një plan veprimi për të forcuar kapacitetet për menaxhimin e projekteve të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri. EIB po ofron gjithashtu mbështetje teknike për qeverinë e Shqipërisë për përgatitjen e projektit hekurudhor të Korridorit VIII në hekurudhat Durrës-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Pogradec.
EIB është financuesi kryesor i projekteve hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, duke dhënë hua mbi 1.7 miliardë euro për investime në sektorin hekurudhor në rajon deri më sot. Në dhjetë vitet e fundit, Banka ka dhënë mbi 40 miliardë euro për të mbështetur projektet hekurudhore në mbarë botën.