Qeveria miraton masat e reja kundër pandemisë

24 shtator 2021 | 19:54

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot masat e reja kundër pandemisë të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia ka thënë se duke filluar nga kjo datë vazhdon procesi mësimor në objektet shkollore.

Sipas tij, në nivelin parauniversitar parakusht për prezencë fizike në klasa është që të pranishëm të jenë jo më shumë se 20 nxënës.

Ai ka thënë se detajet e zbatimit të këtyre masave do të bëhen publike përmes udhëzuesve të veçantë të cilat do t’i publikojë Ministria e Shëndetësisë.

Që nga dita e hënë, klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë: certifikatën e vaksinimit ose testet për Covid-19 në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në lokale.

Edhe klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë e cekura më lartë.

Këto dëshmi vlejnë edhe në institicuone publike dhe private që kanë punë me palë, përfshirë punonjësit e marketeve, bankave dhe floktarët.

Këto masa do të vlejnë dy javë, dhe sipas ministrit Vitia, nuk përjashtohet mundësia që të merren masa të reja kufizimi apo lehtësuese varësisht nga situata epidemiologjike.

Ai bëri thirrje për vaksinim kundër Covid-19 derisa bëri të ditur se deri të premten me dy dozat e vaksinës janë imunizuar mbi 40 për qind e popullatës ndërsa me një dozë mbi 60 për qind e popullatës mbi 16-vjeç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri…