Qeveria miraton ndryshimet buxhetore, Hoti zotohet për implementimin e pakos së rimëkëmbjes

17 qershor 2020 | 17:12

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet e propozuara për ndarjen buxhetore për vitin 2020.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në prezantimin e ndryshimeve ka thënë se sfida e pandemisë ka detyruar ndryshime dhe rishikim të buxhetit për të adresuar këtë çështje.

Sipas saj, nuk është larguar asnjë projekt fillestar dhe se kursimet do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore.

“Sa i përket implikimet buxhetore jam e vetëdijshme se secili prej nesh do të dëshironim që të kemi më shumë fonde që t’ia dalim nga kjo sfidë dhe ta rimëkëmbim ekonominë. Të hyrat buxhetore në vitin 2020 në total mbi 1 miliard e 788 milionë euro presim një rënie prej 5 për qind. Me kthimin e rritjes ekonomike presim që në 2021 të kemi edhe rritje të të hyrave. Shpenzimet buxhetore presim që të jenë 2 miliardë e 620 milionë euro. Deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se kjo punë është bërë falë bashkëpunimit ndërministror.

“Unë edhe një herë ju falënderoj për bashkëpunim dhe koordinimin me Ministrinë e Financave. Janë marrë obligimet e nevojshme që këto çështje të adresohen me kohë. Ne marrim obligime që t’i paguajmë të gjitha faturat që janë në përputhje me ligjin”, ka thënë Hoti, duke bërë me dije se fondi për rimëkëmbjen ekonomike do të fillojë të implementohet menjëherë.

“Fondi 350 milionë euro që është fondi për rimëkëmbje ekonomike do të implementohet menjëherë në ditët e ardhshme në bashkëpunim me odat dhe akterët tjerë që merren me këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se kjo ministri nuk ka buxhet për menaxhimin e pandemisë. “Kemi një minus prej 20 milionë eurove për skemën pensionale dhe minus 14 milionë euro për situatën me Covid-19”, ka thënë Reçica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bendi i rokut në Kosovë “TROJA” ka njoftuar se grupi…