Qeveria miraton plotësim-ndryshimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ia ka propozuar të mërkurën Qeverisë së Kosovës miratimin e disa projektligjeve në fushën e shëndetësisë.
Ndërsa qeveria ka miratuar një varg projektligjesh për këtë sektor, përfshirë këtu edhe projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore.
Qeveria ka miratuar : Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit numër 04l/123 për shëndetësi, projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për sëmundje ngjitëse, Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore, Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për shëndetësi publike, Projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për kontrollin e duhanit dhe disa projektligje të tjera.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se miratimi i projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve do të krijoj siguri juridike dhe do të mbrojë shëndetin e qytetarëve.
“Me qëllim të adresimit të obligimit ligjor është bërë harmonizimi i projektligjeve në fushën e shëndetësisë i cili do të fuqizojë mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes në shqiptimin e sanksioneve kundërvajtëse nga inspektorati shëndetësorë, inspektorati farmaceutik dhe inspektorati sanitar në pajtim me ligjin për kundërvajtje. Miratimi i projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijojë siguri juridike dhe mbrojtjen e shëndetit, përmes të cilës nga inspektoratet relevante do të ndëshkohet personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik, personi fizik që ushtron biznes individual dhe personi juridik i institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.