Qeveria miraton Projektligjin për mbrojtje nga zhurma

02 tetor 2018 | 16:44

Kabineti qeveritar në mbledhjen e së martës ka miratuar Projektligjin për mbrojtje nga zhurma, i cili do të krijojë përputhshmërinë me direktivat e Parlamentit Evropian.

Ky projektligj do të jetë më i zbatueshëm sepse bënë ndarjen e përgjegjësive për zbatimin e tij nga komunat dhe përgjegjësit e institucioneve për zbatim.

“Projektligji detajon rregullat dhe kushtet për përgatitjen e hartave strategjike të zhurmës dhe planin e informimit të publikut. Projektligji është i pajisur me shtojcat që paraqesin indikatorët e zhurmës, metodat e vlerësimit dhe ndikimit të dëmshëm të zhurmës”, është thënë në komunikatën për medie të Qeverisë së Kosovës.

Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës.

Aktualisht në Kosovë përgatiten të dhëna hapësinore nga shumë institucione nga lëmi të ndryshme.

Këto të dhëna përgatiten në formate të ndryshme dhe shpesh ka vështirësi në këmbimin dhe përdorimin e tyre.

“Prandaj, është shumë e nevojshme që të dhënat kryesore që krijohen nga institucionet e ndryshme të sistemohen në një bazë të të dhënave që do të përbëjnë infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore për Republikën e Kosovës”, është theksuar në këtë komunikatë.

Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për lehtësirat doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuara si dhe për personat me aftësi të kufizuara që ushtrojnë veprimtari të pavarur.

“Më herët nuk ka pasur ndonjë akt juridik që ka rregulluar këtë çështje, ndërsa Ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar ka krijuar bazën ligjore për rregullimin dhe përcaktimin e këtyre lehtësirave. Përveç kësaj Rregulloreje janë në proces të hartimit edhe disa akte tjera nënligjore të cilat do të promovojnë aftësimin profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, është thënë në vazhdimin e komunikatës së qeverisë.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin me të cilin ka emëruar Lum Mitën, udhëheqës të Divizionit për bashkëpunim ndërkombëtarë financiar në Ministrinë e Financave, në pozitën e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

Po ashtu, anëtarët e kabinetit qeveritar janë informuar edhe për procesin e realizimit të pagesës së orëve shtesë të Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka njoftuar kabinetin qeveritar me situatën e krijuar nga nevoja e operacioneve për angazhim të zyrtarëve policor me orar të zgjatur dhe pamundësia për të kompensuar orët shtesë me kohë të lirë për shkak të nevojës së ruajtjes së efikasitetit dhe efektivitetit të funksionimit të Policisë së Kosovës.

Ministri ka bërë me dije se MPB-ja do të përgatisë një analizë të kostos së kompensimit të orëve shtesë të policisë dhe do ta sjell për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

Në mbledhjen e së martës të kabinetit qeveritar janë miratuar në parim dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjeve financiare IPA 2012 dhe IPA 2013.

Ministria e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, do të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të finalizimit të marrëveshjeve.

Edhe vendimi për miratimin e nismës për aderimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Trajnimit Policor të Frankofonisë, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar.

Gjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Punëve të Brendshme obligohet  të procedojë konform dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë janë ndarë mjete financiare për të mbështetur Gjimnazin “LOYOLA” me 308 mijë euro dhe Shkollën Profesionale “LOYOLA”  me 350 mijë euro.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar ka prezantuar kërkesën e komunitetit turk që kuota e kalimit të testitit për pranim në Policinë e Kosovës për pjesëtarët e komunitetit turk, të ulet nga 70 për qind në 50 për qind.

Qeveria ka miratuar rekomandimin për Policinë e Kosovës që të shqyrtojë mundësitë për krijimin e kushteve më të favorshme për pranimin e pjesëtarëve të komuniteteve në Policinë e Kosovës.

Po ashtu, Ministria e Financave ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, me qëllim të mbështetjes së funksionimit të rregullt të disa prej ndërmarrjeve publike që aktualisht gjenden në pozitë të pafavorshme financiare.

Qeveria e Kosovës është informuar nga kryeministri Ramush Haradinaj për vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktivitetet dhe takimet e zhvilluara.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në Forumin…