Qeveria miraton Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK-në
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ky është një nga projektligjet më substanciale, që sipas tij e mundëson reformimin e sistemit prokurorial.
“Nëpërmjet tij, mes tjerash synohet ndryshimi i përbërjes së Këshillit Prokurorial në kuptim të arritjes së balancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë, eliminimin e korporatizimit dhe faktorëve të ndryshëm dhe gjithashtu shpërbërja e grupeve të interesave të ngushta”.
“Ndryshimi i tillë do të sillte llogaridhënie më të madhe, pavarësi funksionale dhe kushtetuese të KPK-së dhe rezultate më të prekshme për të gjithë sistemin”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky është versioni i ri i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK-në.
“Kjo është tentativa jonë e dytë, edhe pse ligji i kaluar kishte marrë dy herë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias, ndërsa Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm”.
“Ne kemi analizuar me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjetjet i kemi adresuar përmes versionit të ri të projektligjit që po e paraqes sot dhe këtë e kemi bërë pas një procesi konsultues me të gjithë akterët”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka propozuar që si anëtarë permanent të KPK-së të jenë shtatë sosh, ku tre prej tyre të jenë prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit si dhe tre anëtarë të jenë joprokurorë, të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre.