Qeveria miraton Projektligjin për ratifikimin e traktatit për të burgosurit nga Danimarka në burgun e Gjilanit
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.
Ky traktat parashikon shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë.
Kështu është bërë me dije përmes një njoftimi për medie nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, ka njoftuar qeveria.
Sipas qeverisë, institucioni korrektues në Gjilan do të përdoret për të vuajtur dënimet e shtetasve danezë, duke lehtësuar kështu presionin mbi sistemin korrektues të Danimarkës dhe duke siguruar kushte të përshtatshme për të burgosurit.
“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të nënshkruar nga ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve, më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe 16 maj 2022 në Kopenhagë të Danimarkës”, ka njoftuar qeveria Kurti.
Qeveria e Kosovës ka theksuar rëndësinë e këtij traktati, duke theksuar se ai do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të dënimeve penale.
Kosova dhe Danimarka e kanë nënshkruar letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti është shndërruar në traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.
Traktati me Danimarkën kishte kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihej që Danimarka të merrte në shfrytëzim qeli, të vetme dhe të përbashkëta, në burgun e Gjilanit – pjesa lindore e Kosovës.
Në këmbim të kësaj, Kosova do të kishte përfituar mbi 200 milionë euro.
Nga shuma 200 milionë euro – sa parashihej të përfitonte Kosova – 30 milionë ishin planifikuar të shkonin për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzonte Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.
Ndërsa pagesa do të bëhej në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.
Sipas traktatit, Danimarka nuk do të dërgonte të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.
Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20 për qind nga viti 2015.
Kujtojmë se javën e kaluar ky projektligj nuk e ka marrë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.