Qeveria miraton Projektligjin për Tatimet, përfshin faljen e tatimit në pronë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ndër pikat e këtij Projektligji është edhe falja tatimore për vitin tatimor 2023.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësorë dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit.
Gjithashtu, në mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/111 të datës 7 dhjetor 2022, vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/23, të datës 8 prill 2020 dhe vendimi për miratimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027.
Për vendimin e fundit në njoftim thuhet se: “Programi është dokumenti kryesor Strategjik i Republikës së Kosovës për zbatimin e reformës për integrim në Bashkimin Evropian, i orientuar kah adoptimi aquis së BE-së në legjislacionin kombëtarë dhe zbatimin e tij”.