Qeveria miraton rregulloren për atashetë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 34-të me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar rregullore dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se ka pranuar Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian, i cili evidenton progresin në të gjitha fushat si dhe sfidat në funksionimin dhe zhvillimin e përgjithshëm në shoqërinë tonë. Ky raport konfirmon se Kosova vazhdon t’i mbajë të plotësuara të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe thekson vlerësimin pozitiv të Qeverisë së Kosovës për sigurinë, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon. Kryeministri Hoti ka theksuar se ai tashmë ka filluar diskutimin për të adresuar të gjitha sfidat e evidentuara në raport.
Rregullorja për atashetë e mbrojtjes ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në këtë mbledhje. Kjo Rregullore përcakton statusin, detyrat dhe përgjegjësitë, procesin e përzgjedhjes, pranim-dorëzimin e detyrës, kohëzgjatjen e shërbimit, pagesën, kompensimet tjera dhe ndërprerjen e shërbimit të Atasheut të Mbrojtjes dhe oficerit ndërlidhës të akredituar në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës në vendet tjera apo në organizata ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e qeverisë, do të përfaqëson Qeverinë në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke vepruar sipas kërkesës së Këshillit Konsultativ të Komuniteteve, i cili vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës ka emëruar tre përfaqësues të lartë nga Qeveria për anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Qeveria ka propozuar këta anëtarë: Ivan Millojeviq, Lindon Pajaziti dhe Suad Ademi.
Qeveria ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 14.08.2020 për aprovimin e Koncept Dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian.
Me vendimin e miratuar nga qeveria, janë shfuqizuar 23 vendime për dhënie të pëlqimit për përjashtim nga fushëveprimi i procedurave të Ligjit për prokurim publik në Republikën e Kosovës. Vendimi obligon të gjitha institucionet që të veprojnë në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe të ndjekin në mënyrë strikte të gjitha procedurat e përcaktuara me këtë ligj.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për zbatimin e Masës-9 për rimëkëmbje ekonomike sipas planit detajuar me fokus në komunitetet joshumicë, të cilin e ka përgatitur Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Plani përmban objektiva konkrete të mënyrës së zbatimit si dhe kritere të qarta për shfrytëzuesit, kushtet e aplikimit dhe format për vlerësim, zbatim dhe monitorim të procedurës për realizimin e masave. Objektivi i parë synon sigurimin e nevojave themelore të jetesës për personat në nevojë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa objektivi i dytë synon zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit Covid-19 ndaj ndërmarrjeve të vogla, kurse objektivi i tretë ofrimin e shërbimeve të gerontologjisë personave në nevojë nga komunitetet jo-shumicë; dhe objektivi i katërt ngritjen e vetëdijes tek banorët me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit Covid-19.