Qeveria miraton Strategjinë kundër korrupsionit
Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit 2018-2022, duke vënë theksin në sektorin politik publik, administratën publike, në zbatimin e ligjit si dhe në gjyqësor, prokurim publik dhe menaxhim të financave publike.
Po ashtu, Qeveria ka aprovuar shtesat për stafin administrativ të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ta fuqizuar sistemin e drejtësisë.
Në kuadër të programit buxhetor “Prokurorët Specialë” janë aprovuar 54 pozita, prej tyre 15 janë prokurorë e 39 staf administrativ i Prokurorisë Speciale.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe strategjinë shtetërore për riintegrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë dhe planin e veprimit 2018-2022.
Për tri vitet e ardhshme për këtë strategji janë planifikuar mbi 15 milionë euro nga të cilat mbi 5 milionë janë donacione.
Njëkohësisht, kabineti qeveritar ka proceduar me Marrëveshjen Ndërkombëtare për sigurimet sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane.
Me këtë u mundësohet qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar për kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës, të drejtën që pensionin ta marrin në Kosovë.