Qeveria mund të bjerë nga një koalicion pozitë – opozitë

13 maj 2019 | 15:47

Politologu Ramush Tahiri ka paralajmëruar se kryeministri Ramush Haradinaj mund ta ketë fatin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Ai ka thënë se qeveria aktuale mund të rrëzohet vetëm nga një koalicion joparimor pozitë – opozitë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka kritikuar qeverinë dhe subjektet opozitare.

“Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë, ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa”, ka thënë Tahiri.

Ai ka deklaruar se në momentin që PDK-ja siguron partnerin politik për qeverinë e ardhshme, ajo mund ta rrëzojë qeverinë.

Sipas Tahirit, një bashkëpunim PDK – LDK mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

“Tani ka mbetur të bëhet vetëm një marrëveshje e fshehtë PDK – LDK dhe qeveria bie nesër. Kjo nuk është një strategji, por interes pragmatik. Bisedimet në këtë bazë janë duke u zhvilluar. Në atë moment që PDK-ja e siguron një mbështetje për ta krijuar qeverinë pas zgjedhjeve me LDK-në, menjëherë ajo e rrëzon qeverinë. PDK-ja nuk ka asnjë interes të qëndrojë në qeveri dhe për ta forcuar Ramush Haradinajn, ose për t’i duruar kritikat publike të Haradinajt derisa janë në koalicion bashkë”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ai ka kritikuar edhe qasjen e opozitës ndaj qeverisë. Sipas Tahirit, opozita e vendit është e përçarë dhe kryeneçe.

“Opozita është e përçarë dhe kryeneçe, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Vetëvendosja jeton në revolucionarizëm, i cili është anakronik për kohën e sotme, kurse LDK-ja jeton në shpirt të Rugovës dhe në të kaluarën e saj, pa ndonjë plan strategjik për të ardhmen dhe pa ndonjë reformim të thellë. Pra, është një politikë meskine e këtyre dy partive”, është shprehur Tahiri.

 “Epoka e re”: Z. Tahiri, zërat për rrëzimin e qeverisë disi janë qetësuar. Me heshtjen e taksës u hesht edhe kjo çështje. Pse po ndodh kjo?
Tahiri: Qeveria Haradinaj prej se është themeluar është përcjell me telashe. Siç e dimë me shumë vështirësi ka arritur t’i sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në Kuvend. Pavarësisht prej sfidave që pati, kjo qeveri në qershor i bënë dy vjet të funksionimit të saj. Kjo është një qeveri e pakicës dhe zakonisht qeveritë e pakicës nuk zgjasin më shumë se një vit, duke llogaritur në parimet. Mirëpo në Kosovë, sidomos prej pavarësisë e këndej, asnjëherë nuk janë respektuar parimet dhe asnjëherë partitë politike nuk kanë pasur strategji dhe plane afatgjatë për asnjë lëmë. Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa. Kushtet janë për t’u rrëzuar kjo qeveri, ose të vazhdojë në këtë mënyrë që po shkon. E gjitha varet prej deputetëve të cilët tani e kanë edhe interesin pragmatik, sepse pas dy vjetëve mandat u njihet e drejta që pastaj ta marrin pagën edhe për një vit. Nëse deputetët duan ta rrëzojnë qeverinë në muajin qershor, zgjedhjet mund të mbahen në vjeshtë. Se sa mund të ndodhë kjo, nuk shoh ndonjë interes, sepse ende nuk kemi parë ndonjë koalicion parimor parazgjedhor.

“Epoka e re”: Si e keni parë funksionimin e partnerëve të koalicionit qeverisës  gjatë këtyre dy vjetëve?
Tahiri: E kam parë si një garë për ta zhvatur shtetin. Pra, partnerët e koalicionit qeverisës bëjnë garë për të kapur shtetin dhe për të hyrë në të gjitha institucionet e saj. Këta partnerë kanë ndarë të gjitha këto. Shembull, një subjekt që i ka vetëm dy deputetë, AKR-ja, i ka marrë katër ministri. Këta ministra ky subjekt politik mund t’i ndërrojë pa e pyetur fare kryeministrin. Gjithashtu, këta partnerë i zënë agjencitë e pavarura, bordet e ndërmarrjeve publike, tenderët dhe kështu me radhë.  Po flas vetëm këtë anën negative.

“Epoka e re”: Meqenëse po e thekson anën negative të këtij koalicioni, cila është përgjegjësia e opozitës për ta ndalur këtë trend të pushtetit?
Tahiri: Opozita është e përçarë dhe kryeneçe, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Vetëvendosje jeton në revolucionarizëm, i cili është anakronik për kohën e sotme, kurse LDK-ja jeton në shpirt të Rugovës dhe në të kaluarën e saj, pa ndonjë plan strategjik për të ardhmen dhe pa ndonjë reformim të thellë. Pra, është një politikë meskine e këtyre dy partive.

“Epoka e re”: Mendoni se ky mosunitet i opozitës po e dobëson atë karshi pushtetit?
Tahiri: Partitë politike duhet të kenë dallime dhe kjo është normale. Madje edhe kur të hyjnë në koalicione partitë duhet t’i ruajnë dallimet e tyre, por ato duhet ta bëjnë një plan për pikat që janë takuese dhe urgjente për shtetin. Mirëpo partitë tona nuk i kanë këto elemente. Ato nuk kanë strategji. Tani ka mbetur të bëhet vetëm një marrëveshje e fshehtë PDK – LDK dhe qeveria bie nesër. Kjo nuk është një strategji, por interes pragmatik dhe bisedimet në këtë bazë janë duke u zhvilluar. Në atë moment që PDK-ja e siguron një mbështetje për ta krijuar qeverinë pas zgjedhjeve me LDK-në, menjëherë ajo e rrëzon qeverinë. PDK-ja nuk ka asnjë interes të qëndrojë në qeveri dhe për ta forcuar Ramush Haradinajn, ose për të duruar kritikat publike të Haradinajt derisa janë në koalicion bashkë.

“Epoka e re”: Së fundi nënkryetarët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi, kanë filluar t’i drejtohen kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, si kryeministër i ardhshëm i Kosovës. A mund të interpretohet kjo si shenjë për zgjedhje të reja?
Tahiri: Para zgjedhjeve të fundit PDK-ja, edhe i ka pas shtypur bluzat me emrin e Veselit kryeministër, kur e bë marrëveshja që kryeministër i koalicionit të jetë Haradinaj, e harroi këtë punë. Do të thotë, nuk ka asgjë prej kësaj pune.  Është problem t’i bëjë numrat Veseli për t’u bërë kryeministër në këtë konstelacion partish. Këto pretendime janë vetëm për konsumim të brendshëm dhe propagandë për ta mbajtur partinë. Secila parti kur dëshiron të hyjë në zgjedhje thotë se do ta ketë kryeministrin dhe se nuk do të bëjë kompromise për këtë çështje.

“Epoka e re”: Sa mund të jetë përcaktues fati i këtij koalicioni me qëndrimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj për çështjen e dialogut me Serbinë?
Tahiri: Dialogu me Serbinë është duke u shfrytëzuar për popull dhe po hedhen teza të ndryshme. Sikurse që ndodhi me demarkacionin me Malin e zi pas hedhjes së gazit në Kuvend dhe atyre tensioneve që ndodhën. U harrua demarkacioni? Atëherë kryeministri shkonte dhe takonte rugovasit dhe të tjerët, por tani më nuk ka shkuar në kufij me Malin e Zi. Pra, nuk është se në këtë proces do të këmbehen territoret, do të lëvizë kufiri apo se Kosova do të japë diçka. Krejt kjo është e kotë, sepse deri më tani nuk kemi ndonjë dokument që i parasheh këto. Pra, deri më tani çështja e dialogut me Serbinë dhe çështja e taksës po shfrytëzohet politikisht.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën është bërë…