Qeveria ndan 200 mijë euro për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’
Me kërkesë të Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare në shumën prej 200 mijë eurosh që do të përdoren për nevojat e realizimit të këtij projekti përmes angazhimit edhe të konsulencës së jashtme.
Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin për iniciativën legjislative për Projektligjin për ndryshim dhe plotësim e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, sipas përfundimit të Kuvendit të Republikës ë Kosovës.
“Mendimi i Qeverisë me vlerësimet e Ministrisë së Drejtësisë, thekson se iniciativa për këtë Projektligj do të ndihmojë në eliminimin e paqartësive eventuale në procesin e zbatimit; vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave dhe vlerësimin e përputhshmërisë së iniciativës me legjislacionin e BE-së nga Ministria e Integrimit Evropian, do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës.
Me vendimin e miratuar është zëvendësuar një anëtar i dorëhequr i këtij Bordi.
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike është ndryshuar përbërja e Komisionit ekzekutiv të kësaj strukture.
Në këtë Komision do të shtohen edhe tre përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
/Epoka e re/