Qeveria ndan 37.5 milionë euro për siguri të furnizimit me energji
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën për Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e mbi 37 milionë eurove për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.
“Kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje të mjeteve buxhetore për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik, në vlerë prej tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë euro), nga të cilat njëzet milionë euro janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij vendimi merren nga kursimet buxhetore”.
“Ky vendim shërben në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 02/117 përmes të cilit, në bazë të interesit publik, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike. Sipas këtij obligimi, KEK obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike. Vendimi në të njëjtën kohë i përgjigjet kërkesës me Nr.prot.1704, të pranuar nga KOSTT, për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, si dhe kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë me Nr.prot. 3733”, ka njoftuar qeveria, e cila ka mbajtur mbledhjen e 117-të. Kjo mbledhje është mbajtur në mënyrë elektronike.