Qeveria ndan 40 milionë euro për prodhuesit vendorë dhe eksportin
Qeveria e Kosovës ka prezantuar edhe masat e radhës për mbështetjen e prodhuesve vendor dhe eksportit, që ntë total kapin vlerën deri në 40 milionë euro.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se kjo masë po ndodhë sepse në afatgjatë, zgjidha më e mirë për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe për të mos u ekspozuar ndaj inflacionit të importuar, është prodhimi vendor.
Në masën 2.1, Murati tha se parashihet subvencionimi i kredive investive për të gjithë prodhuesit, deri në 20 përqind të vlerës së kredisë për investimet deri në 2 milionë euro, me kusht që investimi të jetë së paku 50 përqind në pajisje që ndërlidhen me procesin e prodhimit.
“Masa 2.4 parasheh mbështetje për secilin prodhues: – deri në 10,000 euro për trajnim të stafit menaxherial, – deri në 20,000 euro për trajnim të stafit teknik (teknolog, kimist, etj), ashtu që produktet tona të kenë cilësinë sipas standardeve, – deri në 50,000 euro për brendim/ribrendim, ashtu që përveç cilësisë, produktet tona të kenë edhe prezantimin e duhur, – deri në 50,000 euro për pjesëmarrje në panaire, ku mund të gjejnë tregje të reja për të plasuar produktet e tyre”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Tutje ai tha se aplikimi për subvencionimin e kredive investuese, prodhuesit mund ta bëjnë përmes platformës EDI, duke plotësuar formularin me të dhënat e nevojshme.